Që Sali Berisha dhe Lulzim Basha i kanë “larë duart” me njëri-tjetrin, për këtë Bamir Topi është krejtësisht i bindur. Ai nuk rreshtohet në listën e atyre njerëzve që besojnë se ka një bashkëpunim të fshehur mes tyre, mirëpo për “dozën e ulët” të akuzave që po i bëjnë njëri-tjetrin, Berisha dhe Basha, ish-presidenti ka një tjetër argument.
Në studion e Report TV, në emisionin “Repolitix” të gazetarit Denis Minga, Topi ka analizuar me detaje deklaratat që në këtë betejë kanë ardhur nga Berisha dhe Basha. Ndalur tek i pari, Topi tha se ai ka shkuar deri aty sa i ka thënë Bashës “i pabesë”, por vetëm kaq, e ndërsa kryedemokrati deri në pikën që ka bërë një “mea culpa” që nuk ka marrë mendimin e strukturave për përjashtimin e ish-kryeministrin nga grupi.
Pse? Sepse për Bamir Topin, ato po ruajnë njëri-tjetrin, pasi në çdo gjë kanë qenë bashkë, e si shembull solli rastin e 21 janarit, ku Berisha ka qenë kryeministër dhe Basha ministër i Brendshëm, apo edhe kur u nënshkrua marrëveshja e detit, kur Berisha ishte po kryeministër e ndërsa Basha ministër i Jashtëm.
Pra nisur nga fakti që ato kanë qenë bashkë në ngjarje të tillë, bëjnë që të jenë të kursyer në akuza, por e thotë me bindje se nëse njëra nga palët do të shtojë dozën, në po të njëjtin nivel do të vijë edhe kundërpërgjigja.
“Mes tyre ka mbaruar gjithçka, nëse janë më profesionistë se aktorët e Hollywood, hallal e paçin. Po ruajnë njëri tjetrin se janë së bashku, nëse njëri do rrisë dozën, do e rris dhe tjetri, mjafton që të hapësh 2-3 çështje që kanë mbetur pa hapur, do jenë bashkë. E vendosa ekuivalentët thjesht në ruajtjen pasi dinë gjëra mes njëri tjetrin, në 21 janar, njëri kryeministër tjetri ministër i Brendshëm, keni parë ndonjëherë transparencë.
Simptomat janë të qarta, as lojën nuk janë të aftë ta bëj, gjithçka ka dalë hapur, madje unë e kam parashikuar shumë vite më parë. (…) Këta i kanë bërë gjërat bashkë dhe kanë informacione për njëjti tjetrin dhe kanë një pakt virtual për të mos e sulmuar njëri-tjetrin.
Ai thotë maksimumi i goditjes për Bashën, thotë është “besë prerë”, ai tjetri nuk flet ose tenton që të gjejë një mea culpa për faktin që ishte i pamundur që të mblidhte institucionet e partisë për Berishën, një ekuilibër taktikë, nuk e bëjnë për lojë se gjithçka e kanë bërë me njëri-tjetrin”, tha Topi.
Situatën që po ndodh aktualisht në Partinë Demokratike, Bamir Topi ka zgjedhur që ta përshkruajë me anë të një metafore, krahasim me tërmetin e 26 nëntorit. Në këtë kuadër, Topi thotë se PD-ja është një “godinë” që nuk shkatërrua nga tërmeti, këtu i referohet përjashtimit të Berishës, por u bë e pabanueshme, e që sipas tij, zgjidhja është te rrënimi krejtësisht i saj, për të rindërtuar një godinë të re.
“Vjen një tërmet shumë i fuqishëm, si ai i nëntorit, kjo ndërtesë nuk ka rënë plotësisht, por ekspertët e kanë klasifikuar si DS5, që është e destinuar të rrafshohet, nuk ekziston më, me koshiencë e të gjithë njerëzve që janë tallur me interesat e të djathtës.
Basha dhe Berisha janë 2 njerëz që jo vetëm duan të qëndrojnë me çdo kusht, siç ka banorë që s’duan të largohen nga shtëpia, ka dhe të tjerë që duan që ajo të rrafshohet, shyqyr që kemi pronësinë për token, kemi një pronësi të bukur dhe do ndërtojmë një godinë të re, jo e dy individëve, ky është mjerimi i PD-së”, tha ndër të tjera Topi.
E në vazhdimësi të kësaj metafore, në këtë situatë që është PD-ja, që po përçahet në fraksione të ndryshme, Bamir Topi thotë se zgjedh që të mos rikthehet kurrë, përtej kontributit që ka dhënë për këtë forcë politike.
“Ca të më zërë godina brenda? Edhe pse brenda asaj ndërtese janë disa gur që i kam vendosur unë, kur të rrëzohet do shkojë dhe do të marrë gurin që kam vendosur unë”, përfundoi Topi në Report TV.