Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend amendamentet kushtetuese për Vetingun në politikë, nismë e cila kundërshtohet hapur dhe me forcë nga Sali Berisha dhe familja e tij, por edhe nga presidenti Ilir Meta në mënyrë të tërthortë.

Shqiptarja.com sjellë 39 deputetë e Partisë Demokratike me në krye Lulzim Bashën, të cilët kanë firmosur propozimin për verifikimin e krerëve të shtetit dhe politikës për lidhjet me krimin dhe ligjshmërinë e pasurive. Në kushtet kur nisma ligjore kundërshtohet nga Sali Berisha, duke e konsideruar si aktin më të turpshëm në historinë e pluralizmit, deputetët e PD-së pro Vetingut në politikë, pozicionohen kësisoj kundër Berishës.

Bien në sy që nisma ligjore e Lulzim Bashës është firmosur edhe nga dy deputetët Tritan Shehu dhe Luan Baçi, të cilët i janë bashkuar ‘Foltores’ së Sali Berishës, duke u pozicionuar kundër Bashës. Edhe pse grupi parlamentar i PD-së ishte sinjalizuar për qëndrimin e Berishës kundër kësaj nisme, Shehu dhe Baçi rezultojnë me 39 firmëtarëve. Ndërkaq, kanë firmosur edhe Albana Vokshi, Xhelal Mizu, Arbi Agalliu, Ina Zhupa, Eralda Ban, Merita Bakiu, Zheni Gjergji, Lindita Metaliaj, Seladin Jakupllari, Lefter Gështenja, Bledion Nallbani, Helidon Bushati, Belind Këlliçi, Ilda Dhori, Andia Ulliri etj., duke u rreshtuar me Bashën.

Në relacionin e projektligjit, firmëtarët theksojnë se Vetingu në politikë “do të parandalonte aleancat e fshehta e të drejtpërdrejta, para dhe pas zgjedhjeve, midis politikanëve dhe grupeve kriminale. Ne vlerësojmë se miratimi i këtij projektligji dhe Vetingu për të gjithë politikanët në detyra shtetërore dhe zyrtarët e tjerë të lartë publike, duhet të bëhet pa vonesë dhe të fillojë të aplikohet menjëherë…. Ky projektligj i shërben pikërisht dekriminalizimit të plotë të politikes, Vetingut ndaj çdo funksionari kushtetues dhe mospërdorimit të krimit për të ardhur në pushtet apo mbajtur pushtetin”./Adriatik Doçi