Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë për “News 24” foli për shkollat dhe kopshtet e reja që janë hapur me fillimin e vitit të ri shkollor në Tiranë. Ai nënvizoi që me numrin e lartë të shkollave që janë hapur dhe me ato që do të hapen së shpejti, brenda këtij mandati do i jepet fund mësimit me dy turne.
“Po bëjmë gati 2 mega-shkollat, “Qazim Turdiu” në Njësinë nr. 9 dhe “Lasgush Poradecin” në Njësinë nr 6. Ndërkohë në Janar do të hapim një 10-she tjetër shkollash. Kështu që pas këtij mandati çështja e shkollave me 2 turne në Tiranë, as nuk do diskutohet fare. Ndërsa disa shkolla që nuk kanë probleme me turnet, aktualisht po zhvillohet mësimi me turne prej protokollit të kovidit, edhe pse ka ambiente mjaftueshëm”, sqaroi Veliaj.
Viti i ri shkollor 2021-2022 do mbahet mend si viti ku në Tiranë u ndërtuan më shumë shkolla se asnjëherë tjetër më parë. Vetëm në fillim, janë hapur 2 kopshte dhe 10 shkolla që do u shërbejnë edhe banorëve të zonave si qendra komunitare pas zhvillimit të mësimit.