Pas shpalljes një ditë më parë të emergjencës për furnizimin me energji elektrike, kryeministri Edi Rama pritet të dalë sot me një paketë masash për menaxhimin e kësaj krize dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe biznesit të vogël nga efektet e renda që do të kishte një rritje e pakontrollueshme e çmimeve në ekonominë e tyre. Nuk dihet ende ora se kur do të dalë kryeministri, ndërsa pritet të bëhet me dije në orët në vijim.

Një ditë më parë Rama tha se kjo krizë, e diktuar nga klima e që ka prekur të gjithë Europën, do të ketë kulmin deri në mesin e vitit të ardhshëm, teksa theksoi se edhe pas tejkalimit të saj, çmimi i energjisë nuk do të kthehet më në nivelet e tanishme.

Por ky plan masash, sipas Ramës, nuk ndalon dot rritjen e çmimeve të ndikuara nga tregu ndërkombëtar, duke shtuar se qeveria do të mbrojë konsumatorët, duke filluar nga ata që janë më në nevojë, nga kjo rritje çmimesh.
Shpresë për të mos u përballur më me situata të tilla krize, për Ramën është ndërtimi i Skavicës që, sipas tij, do të na japë mundësi që të ruajmë rezerva uji.

Vendimi për emergjencën energjetike u botua menjëherë dje në fletoren zyrtare, duke pezulluar të gjitha planet e investimeve të KESH-it, OST-së dhe të OSHEE-së, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.

Sipas vendimit, këto shoqëri duhet të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.

Nga ana tjetër në mënyrë që të shmanget rritja e menjëhershme faturës së energjisë si pasojë e importit, është ngarkuar Ministria e Financave që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike.

Nëpërmjet këtij vendimi Ministria e Financave duhet të siguroj fondet e nevojshme për të blerë energji nga jashtë, dhe për të garantuar buxhetin e domosdoshëm, ministria mund të bëj alokime fondesh, mund të shkurtoj shpenzimet në institucionet apo mund të pezulloj shpenzimet e parashikuara për projekte të ndryshme, që nuk konsiderohen prioritare. Opsioni tjetër i ministrisë është edhe marrja e kredive nga partnerët ndërkombëtar.