Siç ka mësuar katalanasja “Sport”, nga burime pranë negociatave, Xavi Hernández dhe Barcelona kanë arritur tashmë një marrëveshje që ish-lojtari blaugrana të ulet në stolin e ekipit të parë. Pas shkarkimit të Ronald Koeman, klubi synon ta emërojë sa më shpejt trajnerin e ri.
Xavi është opsioni i parë për Barçën, sepse ish-mesfushori shihet si figura ideale për të nisur një projekt të ri. Me marrëveshjen tashmë të mbyllur me Xavin, i takon këtij të fundit të gjejë akordin e ndarjes me Al-Sadd, klubin e tij aktual në Katar. Zyrtarizimi pritet në orët në vijim.
Barcelona dhe Xavi Hernández tashmë kanë rënë dakord edhe për anëtarët e stafit teknik, që të zbarkojnë bashkë me trajnerin e ri. Vëllai i tij Óscar dhe Sergio Alegre, si asistentë, shto këtu Iván Torres, si trajner fizik, do të ishin anëtarët që do të mbërrinin në Barcelonë me trajnerin e ri.