Zelanda e Re, që po lufton kundër variantit Delta të COVID-19, e ka bërë të detyrueshëm vaksinimin për personat që punojnë në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit.

Ministri i Zelandës së Re për Luftën Kundër COVID-19, Chris Hipkins, bëri një deklaratë në faqen zyrtare të ministrisë në lidhje me vaksinimin e detyruar për punonjësit në dy sektorë kritikë, për të parandaluar përhapjen e pandemisë.

“Edhe pse shumica e punonjësve në këta sektorë janë të vaksinuar plotësisht ose pjesërisht, ne nuk mund t’i lëmë asgjë rastësisë”, tha Hipkins.

“Po e bëjmë vaksinimin të detyrueshëm. Ky nuk është një vendim i lehtë, por ne kemi nevojë për këta njerëz, të cilët punojnë me komunitete të cënueshme që nuk janë vaksinuar ende”, shtoi ai.

Sipas rregullave të reja, ata që punojnë në sektorin e shëndetësisë duhet të marrin dozën e parë deri më 30 tetor dhe dozën e dytë deri më 1 dhjetor, kurse ata që kanë kontakte me nxënësit dhe studentët në sektorin e arsimit duhet ta marrin dozën e parë deri më 15 nëntor dhe dozën e dytë deri më 1 janar 2022.

Sipas të dhënave zyrtare në Zelandën e Re, 67 për qind e popullatës ka marrë dozën e parë të vaksinës, kurse 47 për qind të dyja dozat.