Në Shqipëri tetori shënoi një rënie të ritmit të vaksinimit me rreth 40% krahasuar me shtatorin. Por autoritetet shëndetësore e shohin situatën me optimizëm ndërsa krahasojnë vendin tonë me ato të rajonit.
40.6% e popullsisë mbi 18 vjeç në Shqipëri aktualisht i kanë marrë dy dozat anti-covid ndërsa 46.3% kanë kryer një dozë. Përgjegjësja e Programit Kombëtar Erida Nelaj mendon se nëntori do të sjellë një rritje të ritmit të vaksinimit.
Nga nëntori Ministria e Shëndetësisë ka ulur fashën e të vaksinuarve në 16 vjeç dhe tek fëmijët mbi 12 vjeç me sëmundje të ndryshme. Ndërsa personeli shëndetësor dhe të moshuarit mbi 60 vjeç kanë nisur të aplikojnë dozën e tretë. Dozën e rikujtesës në ditët e para të nëntorit e kanë marrë rreth 2800 persona.