Lulzim Basha ka reaguar në rrjetet sociale pas akuzave të Sali Berishës, se kreu i demokratëve shkon në SHBA me dy dosje në kurriz, atë të “Muzin” dhe “Toyota Yaris”. “I keqardhur sa poshtë ka rënë Sali Berisha”, shkruan Basha sipas të cilit, lideri historik i demokratëve riciklon akuzat e Edi Ramës.
“I keqardhur sa poshtë ka rënë Sali Berisha që riciklon akuzat e Edi Ramës. Sali Berisha me asnjë trillim nuk do ta bunkerizojë PD për interesat e tij personale. PD është dhe do të jetë përjetë aleate e SHBA dhe askush nuk mund ta shndërrojë në mburojë të interesave personale”, shkruan Basha.
Më herët gjatë foltores me demokratët në Librazhd, Sali Berisha tha: “Sot ai ka njoftuar se ka marrë një ftesë për në SHBA, unë do i them 2 fjalë: Lulzim në Shtëpinë e Bardhë shkoi dhe Saje Qorri (Saimir Tahiri), shkoi me dosjen Habilaj në kurriz. Ti shkon aty me dy dosje, po kaq të rënda. Me dosjen Muzin dhe dosjen Toyota Yaris. Këtë të dytën e ndan me Taulant Ballën”.