Sipas të dhënave nga Sektori i Migracionit në DVKM Vlorë, janë shqyrtuar dhe pranuar gjithsej 1229 aplikime për leje qëndrimi, duke përfshirë si aplikimet për herë të parë ashtu edhe rinovimet. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur u regjistruan 648 aplikime, këtë vit ka 581 aplikime më shumë, që përkthehet në një rritje prej rreth 47%. Për vetë shtetasit e huaj, eksperienca dhe arsyet e qëndrimit janë të ndryshme, por punësimi është ai që dominon.

Bran Pui, futbollist nga Senegali i është bashkuar ekipit të Naftëtarit. Së bashku me administratorin, ai udhëtoi nga Kuçova drejt zyrës së emigracionit në Vlorë për të aplikuar për leje qëndrimi, e cila fillimisht jepet për një vit dhe më pas rinovohet për dy vite.

“Kemi ardhur sot në Vlorë për të bërë lejen e qëndrimit. Herën e parë iu del leja 1-vjeçare dhe nëse do të jetë lojtar i kualitetit të cilësisë së mirë, mund të rrijë dhe disa muaj apo vite nëse i shërben klubit”, deklaroi Niko Buçka, administrator i ekipit të “Naftëtarit”.

Nga ana tjetër, sipërmarrësi Fatjon Bacja tregon se në kompaninë e tij ka mbi 35 punonjës të huaj, një zgjidhje që, sipas tij, vjen për shkak të mungesës së krahut të punës në Shqipëri.

“Ky është grupi i dytë që marrim dhe bëjmë pajisjen me dokumentin e identifikimit, Prej dy muajsh ata punojnë në Shqipëri dhe vazhdojmë me procedurën e emigracionit”, u shpreh Bacja.

Sektori i ndërtimit është një nga fushat ku po punësohen më shumë emigrantë, veçanërisht nga India.