Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi, së bashku me kryetarin e bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja dhe drejtoreshën e Përgjithshme të kompanisë ALBtelecom Znj. Bilgen Aldan kanë vizituar shkollën “Naim Frashëri” në Elbasan, ku kjo kompani së fundmi ka bërë një donacion me orendi shkollore dhe libra.
Ministrja Kushi gjatë vizitës në muzeun e veçantë të kësaj shkolle, u shpreh se kësaj shkolle me histori për Elbasanin duhet t’i japim lavdinë që meriton. Duke folur dhe për buxhetin e vitit 2022, Ministrja Kushi shtoi se bashkë me bashkinë Elbasan do të punohet maksimalisht që të bëhen investime jo vetëm në shkolla të qytetit por edhe në shkolla periferike e fshatra.
Znj. Kushi e falënderoi kompaninë ALBtelecom për donacionin e bërë, me të cilin jep një mesazh shumë të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit për përgjegjësinë e lartë sociale, të cilën e ka orientuar drejt arsimit.
“Nuk ka investim më të mirë se sa Arsimi, në të gjitha kohërat, në të gjitha vendet” – shtoi Ministrja.
Drejtoresha e ALBtelecom Znj. Bilgen Aldan tha se: “Një kompani dhe markë historike si ALBtelecom, dhuron në një shkollë historike dhe kjo është një sinergji kuptimplotë, ku përçohet ndër breza tradita, vlerat dhe historia”.
Shkolla 9-vjecare “Naim Frasheri”, e cila sot ka mbi 700 nxënës, është streha e parë e arsimit elbasanas, që nga viti 1908. Nga kjo shkollë kanë dalë shumë figura të shquara t shkencës, kulturës dhe artit si Aleks Buda, Dhimiter Shuteriqi, Mahir Domi, Demir Hyskja e shumë të tjerë.