Kryeministri Edi Rama ka replikuar me komentuesit në rrjetin sociale “Facebook”, një prej të cilëve i ka kërkuar reagim për tragjedinë e ndodhur tre ditë më parë në Bullgari, ku humbën jetën 46 persona.
Një shqiptar i Maqedonisë së Veriut akuzon kryeministrin se nuk ka respekt për ta dhe se e ka lënë në harresë këtë çështje, ndërsa Rama thekson se respektin për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e ka treguar me vepra dhe jo me dokrra.
REPLIKAT
Komentuesi: Kryeministër as një farë respekti për ne shqiptarët e Maqedonisë, kjo është turpi më i madh në gjithë historinë e kombit shqiptar. Arsyen tregoma dhe je një ndër më të pa interesuarit kjo është turpi më i madh, trego arsyen në qoftë se ke.
Rama: Unë i kam shprehur ngushëllimet qysh në mëngjes herët, sapo mora lajmin e keq të tragjedisë, ndërkohë që kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Shkupit për të mësuar se kur e si do të zhvillohet, nëse do të zhvillohet një ceremoni zyrtare lamtumire për viktimat! Kështu që fjalën turp le ta mbajë kush e përdor pa pikë lidhje, ndërsa respektin për shqiptarët e Maqedonisë e kam treguar besoj me vepra jo me dokrra!