Nga Denis Dyrnjaja/ Politika shqiptare kryesisht ajo opozitare, është përfshirë nga disa çarje tektonike të forta dhe të thella. Çarja më e madhe është ajo e PD-së mes Lulzim Bashës kryetar zyrtar dhe ish kryetarit dekadist Sali Berisha. Çarje ka edhe mes PD e LSI deri pak muaj më parë aleat të përbetuar kundër Ramës e sot kundër njëri tjetrit. Çarje ka mes Lulzim Bashës dhe Ilir Metës e bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi. Çarje ka edhe në raportet e një pjese të opozitës me SHBA. Ajo më e forta është e Berishës me Washingtonin që e ka shpallur person non grata, por thuhet se në atë listë ka edhe shumë protagonistë madhore të shtetit e politikës në Shqipëri, por ndërsa për Berishën fakti është bërë zyrtar, për këta të tjerët ka mbetur ende në sirtar.
Tani të ndodhur para kësaj situate ku në thelb predominojnë interesat për pushtet jo për parime, aktorët të përfshirë nga ethet e luftës shkatërrimtare të kundërshtarit po bëjnë autogola amatoresk politikë duke dashur të nxjerrin të palarat e njëri tjetrit. Psh Presidenti Meta del e thotë publikisht që Basha i është lutur madje dhe paska qarë që të anuloheshin zgjedhjet lokale të 30 Qershorit 2019. Referuar ngjarjeve Meta i bie që të jetë prekur nga lotët e Bashës dhe anuloi zgjedhjet në mënyrë antikushtetuese dhe u bë palë me opozitën dhe më konkretisht me Bashën e PD-në. Të mendosh sa të rëndësishme janë zgjedhjet dhe të pavlera realisht janë ato në Shqipëri, pasi varen nga tekat interesat dhe emocionet e individëve. Por çfarë thotë tjetër Meta sot?!
Thotë se gjithë këtë nder që i bëri Bashës duke anuluar 30 Qershorin dhe dekretuar si datë të dytë të zgjedhjeve 13 tetorin, kreu demokrat ia shpërbleu duke mos e regjistruar PD-në si subjekt elektoral në KQZ për zgjedhjet vendore të 13 Tetorit 2019. U deshën 2 vjet që Meta të thyente heshtjen e të na tregonte të vërtetën e tij që në fakt është edhe autogoli sesi presidenti nuk paska zbatuar kushtetutën sikurse predikon, por paska rënë pre e emotivitetit nga lutjet e Bashës. Madje kjo është e vërteta denigruese për Bashën, sepse normalisht e vërteta tjetër është që Presidenti u fut me kokë në një aventurë antikushtetuese e cila rezultoi bklof total politik pa asnjë efekt dhe pasojë sikurse ishin bërë kalkulimet.
Për të denigruar sa më shumë figurën e kreut demokrat, sot armik e dje aleat, Meta thotë se Basha ishte vizitor i rregullt i shtëpisë së tij. Ndërsa Berisha e paskësh vizituar vetëm një herë. Dhe këtu sërish Meta ekpozon pa teklif veten marrëdhënie jo institucionale, por thellësisht private me Bashën atëherë në dashuri politike me Kryemadhin e cila natën e priste Bashën në shtëpi e ditën e vizitonte në seli. Të gjithë kujtojmë harenë e ngazëllimin e dyshes Basha-Kryemadhi ndërsa bënin strategjitë, mbledhje, protesta e dalje në publik si një trup unik. Nga ana tjetër Berisha nuk po lë gjë pa thënë ndaj beniaminit të tij politik, i cili deri më 9 shtator, ishte e ardhmja, shpresa dhe besimi për shqiptarët, por pasi vendosi të lërë Berishën politikisht vetëm derisa të zgjidhë në Gjykatën Franceze hallin me amerikanët.
Lul Basha u bë tradhëtari, mosmirënjohësi, njeriu më i dështuar, më arrogant, më i korruptuar më prepotent që Berisha kishte patur pranë vetes dhe se kishte njohur e ditur. Berisha flet tani për afera të Bashës për Toyota Yaris me para të ndara me Taulant Ballën, flet për dosjen ruse të lobimit të Bashës, i kujton zgjedhjen kryetar bashkie në 2011-ën si ja ndryshuan rezultatin Ramës sy për sy. Dhe të gjitha këto përveç se adresohen si shantazh ndaj Bashës në fakt nxjerrin zbuluar sesi këta personazhe fshehin krime dhe akte abuzive me pushtetin. I fshehin nën mëngë dhe i përdorin për shantazh. Por ndërkohë që shantazhojnë edhe veten e zbulojnë. Aq shumë i shtyn dufi dhe inati shpirtëror ndaj njëri tjetrit sa po bëjnë autogola fatale me pasoja edhe penale duke pranuar se kanë fshehur dhe fshehin abuzime me pushtetin, favorizime me heshtje, veprime e mosveprime.
E të gjitha këto po provojnë se këta janë politikanë që pretendojnë se janë profesionistë por kanë mbetur amatorë. Me këtë sjellje ata po bëjnë autogola që do t’iu kushtojnë shumë në të ardhmen sepse janë pohime që i implikojnë në shpërdorim detyre e moskallëzime krimesh nëse pretendimet dhe pohimet e tyre janë ashtu siç thuhen në publik prej tyre. Kjo ja bën më të lehtë punën edhe prokurorëve edhe gjykatësve specialë nëse kanë ndërmend të merren një ditë me këta njerëz që për 30 vjet kanë ndërtuar një rrjet intrigantësh mes tyre dhe që sa herë iu prishen interesat ndërpersonalë i nxjerrin njëri tjetrit të palarat dhe fëlliqësitë politike që kanë kryer.
Më të ekspozuar në këtë histori janë ata që kanë kryer edhe më shumë afera dhe gjueti, Berisha e Meta. Ai që ka më pak eksperiencë se këta, Lulzim Basha po tregohet më i përmbajturi dhe më i matur kur pritej e kundërta. Kryesisht ai vepron me mesazhe të përmbajtura dhe të moderuara duke mos rënë pre e përgojimit të së njëjtës natyrë që përdor shkolla e vjetër politike që të shantazhon me biografi apo me sekuenca ngjarjesh. Mjafton të dëgjosh çfarë akuzash po adresojnë tani miqtë dhe aleatët e dikurshëm ndaj njëri tjetrit për të kuptuar sesa shumë abuzime janë kryer mbi dhe nën ligj. Të tjerat janë punë për prokurorinë dhe gjykatat. Derisa të vijë dita kur këto organe të veprojnë ne na mbetet të shohim e dëgjojmë.