Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në javën tjetër, përkatësisht më 16 nëntor, pritet të zhvillohet raundi i ri i takimeve të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, çështjet e hapura dhe rrugën përpara në dialog.
Zyrtarë të BE-së nuk kanë komentuar deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Vuçiq ka thënë të mërkurën para gazetarëve se, Kosova do të formojë Asociacionin ashtu siç është negociuar në Bruksel, ose “faleminderit, ju punën tuaj, ne punën tonë, ndoshta takohemi një ditë”.
Megjithatë, zyrtarët evropian kanë hedhur poshtë pretendimet se dialogu është bllokuar për shkak të mospajtimeve për zbatim të Marrëveshjes për Asociacion.
Qeveria e Kosovës dhe presidentja e këtij shteti, Vjosa Osmani, kanë thënë se Kosova nuk do të zbatojë marrëveshjen pasi ajo është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë prononcimet dhe komentet e ndryshme. Në vend të deklaratave të tilla ne jemi të fokusuar në arritje të rezultateve dhe të përballemi me çështjet duke punuar me mund. Dialogu nuk është i bllokuar dhe vazhdon me punën e përditshme të Përfaqësuesit të Posaçëm për dialog, Mirosllav Lajçak, jo vetëm me dy palët, por më gjerë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare“, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013.
Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011./REL