Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se ka qenë në dijeni që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bashkëpunonte me Kryeministrin Edi Rama për projektin e miliarderit amerikan George Soros.

Nga Pogradeci, ku këtë të martë u mbajt Foltorja e radhës me demokratët, Berisha theksoi se pavarësisht këtij fakti, vazhdoi të punonte për fitoren e Partisë Demokratike dhe promovimin e Lulzim Bashës.

“Lulzim Basha ishte njëri nga ata të cilët punonte së bashku me Edi Ramën në projektin e George Soros, unë këtë e kisha marrë vesh. Por kjo nuk më pengonte mua aspak që të bëja gjithçka për fitoren e Partisë Demokratike. Në qoftë se ai i kishte lejuar vetes të bashkëpunonte me kundërshtarët tanë kundër meje, unë nuk i lejoja vetes një gjë të tillë. Dhe 8 muajt e fundit jam përpjekur me të gjithë forcën time nga studio në studio për të promovuar kryetarin tonë në mënyrë që ne të fitonim, se për mua fitorja ishte kryesore”, u shpreh Sali Berisha.