Nga Roland Qafoku
Dilemat e dhjetorit të Bashës apo Berishës? Një parashikim kush do të fitojë, mbështetur në pikat e forta dhe të dobëta të secilit prej tyre. Sa ndikim do ketë faktori ndërkombëtar që ka kthyer sytë nga Basha dhe baza poshtë e PD-së që prej javësh është në mbështetje të Berishës.
Në betejën e dhjetorit mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës ka disa parashikime, por vetëm një gjë është e sigurtë: kush humbet do dalë nga politika. Pasardhësi dhe pararadhësi kryetar i PD janë vënë në garë në betejën me të fortë që kanë ndërmarrë ndonjëherë jo vetëm mes tyre, por edhe në të gjitha betejat që janë zhvilluar në këtë parti që nga themelimi deri më sot. Pyetja e madhe është se kush do fitojë, Lulzim Basha apo Sali Berisha? Një pyetje që e bëjnë jo vetëm anëtarët e PD-së, por i madh e i vogël në Shqipëri dhe në diasporë madje. Secili prej tyre ka avantazhet dhe disavantazhet e veta që nëse i rendisim, kuptohet shumë më qartë se cili do jetë fituesi.
Lulzim Basha ka avantazhin që Sali Berisha është shpallur non grata nga SHBA dhe kjo i jep Bashës statusin për të qenë proamerikan, aleat i SHBA dhe bashkëpunëtor i ambasadores amerikane Yuri Kim. Në këto 31 vjet në Shqipëri është ndjekur rregulli se asnjë politikan e asnjë parti nuk ka ardhur në pushtet pa bekimin e SHBA. Asnjë politikan në këto 31 vjet nuk është bërë kryeministër pa një ok nga selia në rrugën e Elbasanit. Ky është një avantazh i madh për Lulzim Bashën pasi mes “ngënies së barit” që përmendi ambasadorja dhe përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar ai zgjodhi të sakrifikojë Berishën. Dikush mund të thotë që mbështetja e SHBA nuk është votë në kuti, por mjafton të kujtojmë ngjarjet e vitit 1996,1997,1998 për të kuptuar se pa mbështetjen e SHBA asnjë forcë politike nuk vjen në pushtet. Sovranistët mund të shkruajnë edhe libra nëse duan, por faktet janë fakte.
Sali Berisha e ka disavantazh të madh faktin që është shpallur non grata nga SHBA. Nuk mund të jetë kryetar i PD dhe më pas kryeministër një politikan me statusin “non grata” nga SHBA. Vetë ambasadorja Yuri Kim ka deklaruar se nëse Berisha zgjidhet kryetar i PD, SHBA do ndërpresë marrëdhëniet me këtë parti. Teorikisht i bie që skenari që Berisha të jetë kryetar i PD dhe pa asnjë raport me SHBA është më i keqi i mundshëm. Edhe vetë Berisha e ditë këtë, por ai shpreson që vendimi non grata të kthehet, një gjë është praktikisht deri tani duket shumë vështirë.
Lulzim Basha ka avantazhin që është kryetar në detyrë i Partisë Demokratike dhe kjo i jep fuqinë politike të drejtojë dhe të marrë vendime. Firma dhe vula që ka në dorë janë ato që e njohin de jure në natyrën e politikanëve shqiptarë është se era fryn andej nga i fryn era e kryetarit në detyrë dhe si e tillë shumica e personave sidomos ata të lëkundur janë të pritur të bëhen me kryetarin. Për më tepër këtu duhet të fusnim faktin që Basha ka më shumë se 8 vjet që e drejton PD dhe me vendimet që ka marrë dhe merr në një formë apo tjetër ka qenë ai që ka përcaktuar karrierën politike të shumë funksionarëve politikë në PD. Këto “ndere” lahen me nderin që në këtë moment të vështirë mbështesin Lulzim Bashën.
Sali Berisha e ka disavanatzh se prej 8 vjetësh vërtetë ka qenë aktiv me denoncime publike kundër qeverisë, me intervista dhe deklarata por nuk ka qenë pjesë e kontakteve, takimeve apo edhe fushatave me anëtarësinë e Partisë Demokratike në bazë. Kjo distancë e bën atë që të ketë qenë larg njerëzve dhe sidomos ndaj atyre që ka bashkëpunuar për 31 vjet. Hendeku i krijuar është vënë re edhe gjatë aksionit politik “Foltore” ku folësit më së shumti janë nostalgjikët e kohës së vjetër kur Berisha drejtonte PD por jo figura të reja qoftë ato edhe lokale. Në “Foltore” nuk kemi parë madje asnjë figurë e rëndësishme e themelimit të Partisë Demokratike gjë që e bën atë të zbehtë në këtë aspekt.
Lulzim Basha ka avantazhin që kontrollon strukturat e larta të Partisë Demokratike. Ai kontrollon sekretariatin, kryesinë, Këshillin Kombëtar dhe delegatët e kuvendit. Ishte Lulzim Basha që i ka emëruar edhe pse formalisht ka patur garë, por një garë që pa ok e Bashës asnjë prej tyre nuk do të ishte në atë pozicion që mban sot. Të paktën formalisht Basha këto institucione i ka në kontroll për nga numri i votave.
Sali Berisha ka disavanatzhin që nuk i kontrollon strukturat zyrtare të Partisë Demokratike për të mos thënë që nuk i njeh. Vërtetë në bazë ka anëtarë dhe kryetarë të grupseksioneve që janë bashkuar atij në aksionin “Foltore” dhe në firmosjen për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, por as kryesia e as Këshilli Kombëtar nuk dominohet nga Berisha. Kjo i krijon Berishës një ngërç që nuk duket se si do ta kapërcejë.
Lulzim Basha ka avantazhin që kontrollon institucionin më të rëndësishëm të Partisë Demokratike, grupin parlamentar, thelbin e kësaj partie. Deri më sot nga 50 deputetë që ka PD në parlament, janë 19 deputetë që kanë dalë hapur pro Lulzim Bashës kundrejt 13 deputetëve që kanë dalë hapur pro Sali Berishës. Ndërkohë 17 deputetë nuk janë prononcuar publikisht. Një pjesë tyre janë mbështeës të Lulzim Bashës dhe një pjesë presin si do të anojë peshorja. Pra duke kontrolluar grupin parlamentar Lulzim Basha ka në dorë një armë nga më të fortat në këtë betejë. Fundja fuqia e një force politike matet në parlamenet në institucionin më të rëndësishëm të politikës të zgjedhur me votë dhe këtë e kontrollon Luzlim Basha.
Sali Berisha nuk e kontrollon dot ende shumicën e grupit parlamentar. Aq e dukshme është kjo sa deri tani në 20 “Foltore” që janë organizuar numri i deputetëve që kanë marr pjesë në ka qenë shumë i vogël. Madje edhe ata që kanë qenë pjesë e “Foltores” me disa përjashtime, nuk përfaqësojnë deputetët më të spikatur dhe me staturë të lartë. Kjo e disavantazhon Berishën sepse fundja beteja e betejave bëhet në kuvend dhe jo jashtë tij.
Lulzim Basha ka avantazh faktin që shumcia e mediave janë pro tij. Kjo edhe për faktin që shumë media pro mazhorancës dhe gazetarë që mbështesin të majtën në këtë betejë po mbështesin hapur Lulzim Bashën. Është e habitshme se si disa gazetarë dhe portale që më parë e nisnin ditën dhe e mbaronin me sulme nga më të rënda ndaj Lulzim Bashës tashmë janë kthyer në mbështetës të tij. Sigurisht që kjo i ka dhënë Bashës jo pak benefite dhe ai si asnjëherë nuk ndjehet i privileguar si aktualisht nga media pikërisht për këtë arsye.
Sali Berisha ka disavantazh faktin që shumica e mediave nuk e mbështesin atë. Jo vetëm media që mbështesin të djathtën por edhe mediat tradicionale që mbështesin të majtën janë hapur kundër Berishës. Në fakt ato këtë linjë kanë mbajtur përherë duke e patur tagër në linjën e tyre editoriale, por në betejën ndaj Bashës e kanë intesifikuar akoma më shumë këtë. Megjithatë ky disavantazh mund të quhet edhe avantazh kur Berisha e përdor këtë fakt se Basha është i kapur nga Edi Rama.
Lulzim Basha e ka disavantazh faktin që nuk po del në bazë, nuk takon njerëz dhe nuk arrin të grumbullojë frymën pro tij. Basha duket i izoluar, rrotullohet vetëm në zyrën e tij dhe distanca më e largët që është parë në publik është foltorja e kuvendit dhe lokali në oborrin e Partisë Demokratike duke pirë kafe me Jorida Tabakun, Gazmend Bardhin, Alfred Rrushajn dhe Enkeled Alibeajn. Një stil që jo vetëm e shton perceptimin e izolimit nga baza por krijon edhe idenë se sa i sforcuar dhe tensionuar është saqë synon të gjejë mundësira për të ndryshuar këtë perceptim.
Sali Berisha e ka avantazh të dukshëm faktin që ka arritur të ndezë bazën e Partisë Demokratike dhe të grumbullojë përkrahës që deri dje ose ishin thjesht të pakënaqur por që kërkonin ti motivonte dikush. Vetëm në 71 ditë ai organizoi 20 “Foltore” cep e më cep Shqipërisë dhe krijoi të vetmen frymë masive polilitke brenda opozitës. Kjo i jep Berishës jo thjesht një avantazh por një perceptim që ai zotëron bazën dhe kush ka bazën ka edhe partinë.
Lulzim Basha ka disavntazh faktin që nuk ka krijuar eksperiencën e duhur që di të bëjë beteja dhe të fitojë beteja politike. Deri më sot ai është një politikan që në CV-në e tij nuk ka të shënuar asnjë betejë të fituar. Madje nëse do ti referohemi thënies së Arben Ristanit për zgjedhjen si kryebashkiak i Tiranës në vitin 2011 “edhe atë fitore që ka e ka prej tij”, kjo do të thotë shumë. Ka humbur zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe 2021, duke bërë që PD për herë të parë në historinë e saj të qendrojë në opozitë për 12 vjet. Kjo i ka krijuar perceptimin në anëtarësinë e PD se me Lulzim Bashën kjo parti nuk fiton dhe nuk vjen kurrë në pushtet.
Sali Berisha është farkëtuar si politikan nëpër beteja. Edhe ka humbur, madje ka humbur shumë, por ka ditur të ngrihet edhe nga hiri dhe të fitojë, madje të fitojë edhe shumë. Rënia nga pushteti në vitin 1997 që e çoi në kuotat më të ulta PD-në dhe vetë atë zgjati vetëm 8 vjet kur në vitin 2005 u rikthye në pushtet dhe për 8 vite a arriti të ketë bilancet nga më të mirat si kryeministër që përfaqësonte Partinë Demokratike. Kjo i jep avantazhin që anëtarësia ka krijuar bindje se vetëm me Sali Berishën ata vinë në pushtet.
Lulzim Basha ka disavantazh faktin që ka bërë aleancë me Edi Ramën dhe kjo te anëtarësia e Partisë Demokratike ka lënë një shije jo të mirë. Një pjesë e demokratëve mendojnë se në rastin më të mirë Edi Rama përdor teknika që përherë del i fituar me të dhe në rastin më të keq Edi Rama e ka kapur Bashën me forma nga më të ndryshme financiare.
Sali Berisha ka avantazh që është armik i paepur me Edi Ramën. Madje në publik ka një perceptim që Edi Rama më problem ka Sali Berishën pa asnjë post politik, se sa Lulzim Bashën kryetar të PD. Kjo e motivon më shumë anëtarësinë e Partisë Demokratike dhe e bën që të mbështetet shumë më shumë se sa kryetari aktual.
Lulzim Basha ka disavantazh faktin që ka hapur front të gjerë lufte ndaj politikanëve dhe formacioneve politike më të rëndësishëm në Shqipëri. Me artikulimin e tij “Trekëndëshi i Bermudës”, Basha ka aktualisht armik politik Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Ndonëse është në gjendje agonie, vendosja në llogoren armike edhe të LSI-së ia komplikon akoma më shumë situatën. Vendosja në armiqësi edhe me Ilir Metën e bën Bashën të denjë për statusin “edhe i vetëm trim në luftë” që në politikë përkthehet humbje e sigurtë.
Sali Berisha ka arritur të zgjerojë rrethin e mbështetësve të tij jo vetëm brenda Partisë Demokratike por edhe jashtë saj. Aktualisht LSI dhe Ilir Meta janë pozicionuar hapur pro Berishës dhe kjo jep atij një krah jo pak të rëndësishëm. Sa herë që Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bërë bashkë kanë fituar çdo betejë, por Basha këtë nuk ka si ta dijë kur nuk është përballur ndonjëherë. Kjo është e para, ndoshta edhe e fundit.
Lulzim Basha e ka një disavanatzh të madh komunikimin dhe raportin me median. Selektiv me gazetarët dhe media te veçanta duke mbajtur afër gazetarë dhe media të preferuara dhe duke bërë armiq të panevojshëm masën e madhe të gazetarëve, ai nuk ka qenë asnjëherë i hapur dhe i drejtëpërdrejtë. Janë jo të pakta rastet që Basha u mban mëri gazetarëve të veçantë për pyetjet që i janë drejtuar gjatë intervistave dhe që me llastim fëminor ai i cilëson provokuese. Më e rëndësishme është se me intervistat që jep nuk thotë asgjë, Lulzim Basha e ka të humbur betejën më kryesore që atij i duhet në përballje me Berishën. Në 8 vite kryetar i PD dhe 17 vjet në karrierë politike, Lulzim Basha kurrë nuk kuptoi se një gazetar nuk është një votë që atij edhe mund të mos i duhet, por një gazetar është një opinion që përçohet te masa e njerëzve. Basha këtë nuk ka si ta dijë kur për punë të tilla këshillohet nga ata që aftësinë më të madhe e kanë si ti servilosen në vend që ti tregojnë se një lider politik duhet të mbështetet te rregulli Obamian: Unë jam ai që media thotë se si jam unë.
Sali Berisha ka avantazh të madh që komunikimin me median e ka një nga anët e tij më pozitive. Ndonëse bën edhe armiq në media dhe këta nuk i ka të paktë, ai ka treguar përherë që është i hapur, i kudogjendur dhe më e rëndësishmja, tregohet korrekt dhe me gazetarin më pak të njohur në cepin më të humbur të Shqipërisë, duke mos bërë as dallime dhe duke mos treguar as preferenca. Sa larg Lulzim Bashës kjo sjellje duke i dhënë Berishës aq shumë avantazhe.