Brazili do të jetë pa Neymarin kundër Argjentinës sonte pas mesnatës, në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2022.
Sulmuesi i Paris Saint-Germain e pësoi një lëndim dhe nuk udhëtoi fare me ekipin e tij drejt Argjentinës, raporton Gazeta Express.
Neymari luajti 90 minuta të plotë në fitoren e Brazilit 1:0 kundër Kolumbisë të enjten, duke e përgatitur golin vendimtar të shënuar nga Lucas Paqueta.
Federata e Futbollit e Brazilit konfirmoi se 29-vjeçari e ka lënduar kofshën.
“Për shkak të një lëndimi në kofshe, Neymari nuk do të luajë kundër Argjentinës këtë të marte (16 nëntor), për kualifikime për Kupën e Botës”, thuhet në një njoftim të Federates braziliane.
“Neymari nuk udhëtoi drejt Argjentinës me ekipin kombëtar brazilian dhe do të rikthehet në Francë këtë të mërkure”.
Brazili është lider i tabelës në Amerikën Jugore me 34 pikë, gjashtë më shumë se Argjentina dhe e ka siguruar tashmë pjesëmarrjen në Katar 2022.
Argjentinës, për të cilën Messi do të luajë titullar, i duhet fitorja pë ta siguruar kualifikimin sonte.