Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në seancën dëgjimore në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, deklaroi se me Buxhetin e 2022 do të mundësohet rritja e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë.

“Sa i përket sektorit të Mbrojtjes Sociale buxheti për vitin 2022 do të financojë mbi 27 miliard 850 milion lekë. Do të mbështet përkujdesi social në vlerën Skema e Ndihmës Ekonomike do të ketë rritje gjatë vitit 2022, me një faturë financiare 1.4 mld lekë dhe do të mbështesë 68 mijë familje, më kontretisht: Rritjen me 10% të masës së ndihmës ekonomike për të gjithë familjet përfituese të skemës. Dyfishimin e ndihmës ekonomike për familjet me më shumë se 3 fëmijë nën moshën 18 vjeç. Ndërkohë që masa e Ndihmës Ekonomike për fëmijët me statusin e jetimit si dhe për gratë e trafikuara dhe të dhunuara do të trefishohet”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se për vitin 2022 janë parashikuar të trajtohen me pagesa të aftësisë së kufizuar më shumë se 164 mijë persona përfshirë edhe kujdestarë të PAK dhe invalidët e punës, me një fond në masën 16 miliard e 790 milion lekë.
Gjithashtu do të vijojë Programi i Bonusit të Bebes për mbështetjen e mbi 30 mijë familjeve çdo vit. Në buxhetin e vitit 2022 është parashikuar fondi prej 2 miliardë e 300 milion lekë.