Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend ka deklaruar se do të vijojë mbështetja për mjekët dhe infermierët, edhe me buxhetin e 2022, duke siguruar një tjetër rritje pagash për të gjithë personelin shëndetësor.
“Qeveria shqiptare do të vijojë mbështetjen për profesionistët e shëndetësisë, duke financuar politikën e rritjes së pagave dhe duke siguruar në buxhetin 2022 rritjen me 6% të pagës, menjëherë pas rritjes historike të pagave me 40% që iu bë mjekeve dhe infermiereve tanë nga Janari 2021”, tha Manastirliu. Duke vlerësuar punën e ekipeve mjekësore, Manastirliu tha se shërbimi i mjekëve, infermierëve, stafit të urgjencës, farmacistëve, laborantëve ka qenë shembullor në këtë vit sfidues për të gjithë.
“Ndërkohë që stafet tona mjekësore vijojnë përballjen me armikun e padukshëm, në një periudhë prej më shumë se 19 muajsh, ne nuk do të ndalemi në përdorimin e armës më efektive që sot bota ka në dorë, vaksinës”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë. Mbi 4400 mjekë dhe infermierë që kanë qënë në fronin e parë të luftës ndaj Covid-19, kanë përfituar bonusin prej 1 mijë euro/muaj. Nga rritja e pagave për mjeket dhe infermierët me 6% rritje do të mbështeten 18 mijë mjekë dhe infermierë, duke e çuar në 63% rritjen e pagave në dy mandatet e qeverisjes.