Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë prezantimit të buxhetit të bujqësisë për vitin 2022, se “rreth 9 milionë dollarë që përfitohen nga heqja e rimbursimit 6% në bujqësi, do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin e bujqësisë dhe nuk do të shpenzohen përmes një sistemi jo transparent dhe të paqartë rimbursimi”.

Kryeministri u ndal fillimisht te protestat e fermerëve për ndryshimin e Paketës Fiskale.

Rama tha se “protestat janë legjitime, por ata që kanë marrë pjesë, në një masë të madhe, janë të keqinformuar”.

“Në shifra është shumë e thjeshtë se pse ne kemi vendosur ta heqim rimbursimin e 6% dhe çfarë do të bëjmë me atë masë parash që përdorim për rimbursimin. Është hedhur një hap para dhe jo hapa mbrapa duke vendosur atë skemë rimbursimi. Ne kemi synuar që përmes shfrytëzimt të kapacitetit logjistik të grumbulluesve të çojmë paratë tek fermeri në raport me prodhimin e grumbulluar dhe shifra në fund fare ka rezultuar një shifër modeste, por mbi të gjitha një shifër e kontrolluar nga një grusht grumbulluesish të mëdhenj që jo domsdoshmërisht ka shkuar te fermeri”, tha Rama.

Rama shtoi se “këto vite, i gjithë sistemi i grumbullimit ka përfituar masivisht nga mbështetja e qeverisë dhe AZHBR, dhe grumbulluesit sot janë një forcë e re e krijuar në treg”.

“Grumbulluesit duhet të kuptojnë se jo vetëm nuk jemi kundër tyre, por kemi bërë çmos t’i mbështesim që të rriten dhe forcohen. Por ajo shumë, rreth 9 milionë dollarë do të transferohet drejtpërdrejt në buxhetin e bujqësisë dhe jo të shpenzohet përmes një sistemi jo transparent dhe të paqartë rimbursimi, ku pjesa dominante e këtyre parave kontrollohet nga grumbulluesit. Në këtë mënyrë, këto fonde do të shkojnë drejtpërdrejtë për produktivtetin. Një sektor, i cili gjatë një viti prek shifrën e 3.5 miliardë dollarë, sa mund të impaktohet nga vetëm 9 milionë dollarë?”, tha Rama.

Ndërkohë, Kryeministri shtoi se “me këto 9 milionë dollarë ne mund të bëjmë shumë duke ia shtuar masës së financimit të bujqësisë dhe duke synuar produktivitetin”.

“Është shumë e rëndësishme të kuptohet se sa më shumë kalon koha dhe strukturohet së brendshmi sektori me grumbullues, prodhues të fuqishëm dhe tregtues aq më e pamundur bëhet që në këtë sektor të jetosh dhe mbijetosh i vetëm. Është trendi i zhvillimit që kërkon krijimin e sinergjive të reja. Edhe për grumbulluesit, prodhuesit e agropërpunuesit është e domosdoshme të jenë të orientuar për të kuptuar tregun dhe për të mos prodhuar dhe investuar në drejtime në kundërshtim me tendencën e tregut”, shtoi Rama.