Kryeministri Edi Rama tha se buxheti i vitit 2022 parashikon një rritje të pagave prej 30% për Forcat e Armatosura, premtim që ai tha se e mbajti pas krizës me luftën ndaj zjarreve në muajin gusht.

Por Rama dha një tjetër lajm të mirë për ushtarakët, gjatë prezantimit të buxhetit në Pallatin e Kongreseve. Ai tha se rritja e pagave nuk do të ndalojë me kaq.

“Por sot po u them se do t’i rrisim përsëri pagat. Nuk ka asnjë arsye që Forcat tona të Armatosura, për potencialin që kanë dhe energjinë që japin, të jenë mbrapa nga shumë vende të Aleancës”, tha ndër të tjera Rama.

Pjesë nga deklarata e kryeministrit Rama:

Nuk është rritja e parë e pagave që bëjmë, kjo është një rritje e konsiderueshme, dhe nëse kur u takuam me një pjesë prej jush pas përballimit të krizës së zjarreve, unë ju thashë se do të rrisim pagat, dhe sot pagat janë të shkruara me 30% rritje për buxhetin e ardhshëm. Por sot po u them se do t’i rrisim përsëri pagat. Nuk ka asnjë arsye që Forcat tona të Armatosura, për potencialin që kanë dhe energjinë që japin, të jenë mbrapa nga shumë vende të Aleancës, këtu nuk flasim për vendet që janë më të fuqishmet, por vende të tjera që edhe pse janë ekonomikisht më të fuqishme se ne, ne nuk kemi pse të mos i synojmë që të mbërrijmë. Me këtë rritje, nuk jemi më ushtria më pak e paguar në Nato.