Organizata Botërore e Shëndetit ka raportuar këtë të mërkurë, se vdekjet nga COVID-19 po shohin rritje në disa vende të Evropës.
Në raportin e saj javor mbi pandeminë, agjencia shëndetësore e OKB-së tha se kishte rreth 3.1 milionë raste të reja globalisht, rreth 1% më shumë se një javë më parë.
Vendet me numrin më të lartë të rasteve të reja në mbarë botën ishin Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Turqia dhe Gjermania.
Numri i vdekjeve javore nga COVID-19 ra me rreth 4% në mbarë botën dhe pësoi ulje në çdo rajon përveç Evropës.
Drejtori i OBSH-së për Evropën, Dr. Hans Kluge, tha javën e kaluar se Evropa ishte përsëri “në epiqendrën e pandemisë”.
Ai paralajmëroi se nëse nuk do të ndërmerreshin më shumë veprime për të ndaluar COVID-19, rajoni mund të shihte 500,000 vdekje të tjera deri në shkurt.