Nga Artur Ajazi/ Eshtë fakt, se kush ka mbretëruar për një kohë të gjatë, e ka të pamundur të largohet prej andej në mënyrë poshtëruese. Kjo po ndodh edhe me Sali Berishën. Në një kohë tjetër, ai do ta kishte shumë të lehtë rikthimin pasi mendon se, ka sot ende shumicën e bazës. Por në kushtet e reja, e ka të pamundur që edhe pas 11 Dhjetorit, ai të mbretërojë në Partinë Demokratike. Shpallja “non-grata” si dhe lufta e hapur që i ka shpallur Doktori de facto dhe de jure SHBA-së, është gabimi më i pafalshëm që i ka bërë vehtes por edhe partisë.Heshtja dhe vetëm heshtja, do të ishte melhemi më i mirë për “plagën” e hapur. Se sa korrupsion krijoi Sali Berisha sa ishte në pushtet qoftë në 1992 deri 1997, apo dhe 2005-2013, këtë e di edhe foshnja. Se sa afera u firmosën dhe kaparosën në kohën e pushtetit të tij, edhe këtë e dinë të gjithë, madje edhe ata që nuk kanë qenë në Shqipëri prej 1991 deri sot. Pra, Sali Berisha e ka të qartë sa dëme dhe telashe i ka sjellë vendit dhe shqiptarëve, e di fare mirë se shërbimet e huaja nuk hanin dhe nuk hanë “bar”, por merren me zhbirilimin e të dhënave dhe fakteve. Por edhe sikur ta marrim të mirëqenë faktin se “ai vetë personalisht nuk ka kryer korrupsion”, sërish faji bie mbi personin e tij.
Në Shqipëri u shkatërrua gjithçka ishte ngritur dhe ishte ndërtuar me gjykimin dritëshkurtër dhe hileqarë se “janë të Enverit, i ka patur diktatura komuniste”. Dhe kjo ka ndodhur para syve dhe veshëve të Sali Berishës. Bëmat e Doktorit duan një natë dimri dhe nuk mbarojnë kurrë. Ndoshta ai i ka “harruar”, dhe sot gjithçka i duket se nis nga zero. Por faktet dhe ndodhitë, janë akuza të forta ndaj tij, bashkëpunëtorëve dhe atyre që sot hiqen sikur “nuk e njohin më”.Historia e Berishës dhe pushtetit të tij, historia e klanit të tij qeverisës, është një histori e mbushur me korrupsion, krime dhe afera të pista, me viktima dhe pasurim të xhelatëve të cilët pasi zhvilluan disa procese gjyqësore tallëse, sot gjenden sërish në Parlament. Kjo është dramatike. Por bëhet edhe më therëse, tek dëgjon se si mbrohet Doktori, se si u deklaron foltoristëve se “të më gjejnë një rast dhe aferë korruptive, dhe tërhiqem”. Por jo, ai madje me “para të pastra” hapi proces gjyqsor në Paris, dhe nuk mbetet ditë pa sulmuar SHBA, DASh, dhe ambasadoren Kim.
Pas Enver Hoxhës, zoti Berisha, mbetet i dyti, që i shpall luftë SHBA-së, edhe pse deklarohet se “jam proamerikan i lindur”.Mbledhja e Kuvendit në 11 Dhjetor, dhe plani që pritet të zbatohet pas asaj date lidhur me fatin e PD-së, mbetet skenari që do ta fundosë përfundimisht ish-kryeministrin e vendit. Ai nuk e ka kuptuar, edhe pse ka studiuar për mjeksi, se njeriu ka fazat e tij jetësore, dhe nuk mund t’ja nisë nga e para, kur po shkon drejt finishit. Ai nuk mund ta ribëjë Partinë Demokratike, sipas asaj forme dhe përmbajtje, që e bëri nga 1992 deri kur u tërhoq nga drejtimi i saj. Kjo pasi, ajo PD, ishte dhe mbetet modeli më i keq për të frymëzuar të djathtët në Shqipëri. Ajo PD, ishte simotra e PPSH, kishte brënda klimën e dhunës dhe shtypjes ndaj fjalës dhe mendimit të lirë, dhe ecte mbi filozofinë e përjashtimit dhe denigrimit të çdo kundërshtari.
Si mund të pretendosh Doktor, se “do të ringre Partinë Demokratike siç ka qenë dikur”, kur dihet se si ishte ajo në kohën tënde ( dhe vazhdon të jetë edhe në kohën e Bashës) se si shtypej fjala, mendimi dhe koka e çdo zëri kundër, madje përndiqej deri në fis dhe farefis. Ndaj them,e ke të pamundur Doktor edhe pse do të mbledhësh Kuvendin, edhe pse ke vendosur të zbatosh deri në fund skenarin tënd,për tu (vetë) shpalluar “mbret” (si në 1997 kur u (vetë) shpalle president kur jashtë kërciste pushka)…