Nga Plator Nesturi/ PD është më rëndë sesa duket. Jemi në kohë Covidi dhe veshët na janë mësuar me raste sëmundjesh e madje dhe fatalitete. Gjithsesi jeta ecën. Dhe do të ecë pavarësisht se dikush e humb betejën, pavërësisht se kush ish, çfarë statusi apo popullariteti kish gëzuar dikur. Pikërisht në këtë kohë jemi duke u marrë me një sëmurë tjetër të shoqërisë shqiptare dhe që vërtet na ka marrë shumë kohë e analiza madje. PD kish kohë me anemi të rëndë por pikërisht në muajt e fundit gjendja duket e agravuar rëndë. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe kur tashmë kemi dy grupe mjekësh prej ku secili jep diagonzën e vet dhe ku të dyja palët kanë një kurë të ndryshme për shërimin e PD. Një grup përdor për inflamacion Berishën ndërsa tjetri për qetësues Bashën. Njëra palë këmbëngul për eletroshok më 11 dhjetor, ndërsa tjetra për masazh këmbësh një javë më pas. Nga gjithë kjo përkujdesje, vetëm një gjë është e sigurtë: pacienti do të vdesë.
Kush e do më shumë PD? Basha apo Berisha?
Po të pyesësh idhatrët e Foltores do të thonë Berisha dhe po të pyesësh burokracinë e PD të përgjigjen Basha. Gjithsesi deri pesë muaj më parë ndërsa u zhvilluan zgjedhjet e kryetarit të ri pas humbjes së re, të dyja palët ishin një e vetme dhe sinkronë për të eleminuar të gjithë kundërshtarët e tjerë që do dëshironin ta donin PD-në po aq sa Basha në 8 vite. Askush nuk të linte ta doje PD-në më shumë se Basha. As Berisha vetë nuk e lejonte këtë blasfemi. Atëherë pse ky ndryshim ku u shndërruan në dy palë?
Lëvizja e Foltores këmbëngul se gjithë ky shfrim kundër është në të mirë të PD dhe për të sjellë një frymë të re në opozitë. Pavarësisht se kjo ndodh vetëm pak muaj më pas pasi të gjithë së bashku votuan Bashën sipas formulës një anëtar një votë dhe ku 80% solidarizoheshin me të pavarësisht humbjes, duke i dhënë shans edhe për një mandat tjetër drejt zgjedhjeve. Çfarë ka ndodhur që ti hiqet ky votëbesim dhe të konsiderohet tashmë si pengesë për të ardhmen e PD-së? E vetmja ngjarje që ka ndodhur në këto pesë muaj është shpallja non grata e Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe po ashtu vendimi për mbajtjen e distancës ndaj tij në grupin parlamentar. Në fakt me një të infektuar zakonisht kështu veprohet, mbahet larg dhe i izoluar. Nëse kjo është ngjarja e vetme e ndodhur, duket pak e vështirë të mendohet se ky është shkaku që Basha nuk e do PD-në. Madje që qenka i infektuari Berisha ai që e dashka më shumë sa do ta shtrëngojë gjithë kohë në përqafim PD-në anemike pas humbjes. Do të ish si përqafim vdekje për një forcë politike e cila në këto vite të fundit ka marrë plot kritika nga ndërkombëtarët për shkarje drejt ekstremizmit. Edhe kjo i duhet…
Dy Kongrese 300 pare
Përtej energjive të harxhuara dhe përplasjeve të personazheve të ndryshëm në PD të cilët tashmë po shahen me libër shpie dhe nxirosin njëri-tjetrin nëpër studio televizive, ka një tjetër takëm që mezi pret spektaklet e dhjetorit. Jo ato që zhvillohen për Krishtlindje apo Vit të Ri, por në kongreset e stuhishëm që PD do të zhvillojë në dhjetor. Duket spektakël i garantuar. Fillon në datën 11 dhjetor ku sipas programit do të shahet gjysma e PD nga Berisha dhe ndjekësit e tij dhe raundi i dytë në 18 dhjetor ku do të denigrohet gjysma tjetër e PD nga Basha dhe mbështetësit e tij. Spektakli do të nisë me përcaktimin e numrit të delegatëve nga secila palë. Nuk dihet se kush do ti numërojë dhe kush e garanton përfaqësuesin e deleguar, por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka spektakli. Rëndësi kanë objektivat nëse i është dhënë dërma palës kundërshtare dhe çështja e kryetarllëkut.
PD, si pakkush parti në botë do të ketë dy kongerse pra. Por askush nuk garanton se nuk do të ketë një kongres të tretë apo të katërt pas pak kohësh. Dhe kjo do të jetë një risi e paparë. Gjithshka i ngjan një ushtrie të shkapërndarë ku oficerët kanë Kongresin e tyre, ndërsa ushtarët bëjnë peticion për Kongres të veçantë. Në fund, gjithkush do të shkojë në drejtimin e tij. Ndoshta në betjë me njëri-tjetrin, por jo në luftën e zakonshme me kundërshtarin. Nëse shumëkush mendon se nga gjithë këto zhvillime thjesht do të kemi një ndarje të PD, askush mund të thotë se ndarja do të ishte thjesht një vijë e Theodosit që përcakton se sa anëtarë ka njëra dhe sa i mbeten tjetrës, sa deputetë i shkojnë njërës palë dhe kaq copë i mbeten tjetrës. Gjendja është shumë më rëndë se kaq. Ndarja dhe kthinat në të cilat po e fusin PD- në personazhet historikë dhe aktualë të saj, po i rrezikojnë të ardhmen dhe vazhdimësinë. Aq sa nesër të jetë një forcë e papërfillshme politike dhe pa gravitet. Ndarja nuk sjell edhe ndarjen e elektoratit, por humbjen e tij.