Në përvjetorin e dytë të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka publikuar një mesazh përkujtimor për viktimat e asaj tragjedie, si dhe ka vënë në dukje punën e madhe që është bërë që nga ajo ditë për ndërtimin e shkollave.
“Ja ku jemi sot pas dy vitesh dhe sa shkolla të reja me standarde evropiane janë ndërtuar me Programin e madh të Rindërtimit, që as nuk i kishim ëndërruar më parë. Kemi ende shumë punë përpara, prandaj nuk do të ndalemi, për të mirën e fëmijëve tanë, për të mirën e Shqipërisë!” – nënvizon ministrja.
Ajo shpreh mirënjohjen për të gjithë miqtë që ndihmuan Shqipërinë në ato ditë të vështira dhe kontribuuan për tejkalimin e atyre ditëve.
Statusi i plotë i Ministres Evis Kushi:
Si sot dy vite më parë Shqipëria u zgjua nga tërmeti shkatërrimtar që i mori jetën 51 njerëzve, ndër ta edhe fëmijë. Kujtesa jonë është e freskët nga pamjet e trishtueshme dhe dëmet e mëdha që la pas tërmeti, familje pa strehë, shtëpi të rrafshuara dhe shkolla të prishura.
Në atë gjendje të vështirë qeveria mori përsipër me guxim një plan të gjerë masash për të ndihmuar njerëzit në radhë të parë, por premtoi gjithashtu që do t’i ndërtonte shtëpitë dhe shkollat më të forta, më të sigurta dhe më të bukura.
Ja ku jemi sot pas dy vitesh dhe sa shkolla të reja me standarde evropiane janë ndërtuar me Programin e madh të Rindërtimit, që as nuk i kishim ëndërruar më parë. Kemi ende shumë punë përpara, prandaj nuk do të ndalemi, për të mirën e fëmijëve tanë, për të mirën e Shqipërisë!
Mirënjohje edhe të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar në ditë të vështira!