Nëse do të kishte një rrugë në të cilën kryeministrin Edi Rama zor se do ta shihnim të defaktorizuar është ajo e ndikimit që ai ka në rrjetet sociale.

Një pikë e fortë e tij e ndërtuar me kalimin e viteve, (por edhe e lindur deri diku) për të prodhuar debat dhe për të qenë po aq aktiv në atë që sot quhet audienca në rrjetet sociale.

Kryeministri Edi Rama rezulton sot të jetë lideri më aktiv në botë në rrjetin social Facebook, bazuar në numrin e popullsisë që përfaqëson secili lider i përfshirë në renditje.

Analiza është bërë nga “Terra Data Analytics”, një kompani e analizimit të të dhënave digjitale dhe e marketingut digjital.

Metoda e përdorur nga Blerim Gjeladini drejtues i kësaj kompanie është bazuar në tre elemente: 1) Numri total i ndjekësve të faqes; 2)Totali i reagimeve në çdo postim dhe 3) Numri total i popullsisë

“Terra data marketing” ka publikuar një tabele ku kryeministri Edi Rama renditet i pari i rankuar bazuar në elementet e mësipërm (totalin e ndjekësve, totalin e reagimeve në postime dhe numrin e popullsisë).

I dyti pas tij renditet ish-kryeministri italian për tre vjet Giuseppe Conte, Benjamin Netanyahu i treti, Recep Erdogan i katërti.

Në 10-shen e liderëve më të rankuar renditet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në tabelën e dyte të publikuar (ngjitur të parës) nga “Terra Data” është bërë renditja e totalit të ndjekësve dhe numrit të popullsisë.

Edi Rama rezulton sërish i pari.

Në të dyja matjet, Edi Rama, Giuseppe Conte dhe Benjamin Netanyahu janë në krye të listës së liderëve botërorë më të ndjekur në Facebook.

Sipas analizës së Terra marketing, çdo qytetar mbi 18 vjeç ka reaguar direkt ose indirekt të paktën 7 herë në vit në postimet e Edi Ramës.(SI)