Pas shpalljes “nongrata” nga SHBA dhe një fushate të egër sulmesh personale ndaj diplomatëve amerikanë, ish kryeministri Sali Berisha duket se ka ndërmarrë një tjetër hap kundër aleatëve perëndimorë të Shqipërisë.
Së fundmi ai ka dhënë një intervistë për gazetarin L. Todd Wood, në emisionin e tij “Information Operation’ në CDMedia, ku sulmon hapur Departamentin Amerikan të Shtetit, Sekretarin Antony Blinken dhe Ambasadoren Yuri Kim të cilën e etiketon si anëtare të partisë socialiste.
Por jo pa qëllim Sali Berisha ka zgjedhur të sulmojë insitucionet amerikane në emisionin e L. Tood Wood, emri i të cilit flet shumë për këtë “hakmarrje” ndaj perëndimit.
L. Todd Wood ish-pilot amerikan i Air Force i konvertuar në gazetar, që ka jetuar gjatë në Moskë, është themelues dhe drejtues i websajtit me përmbajtje pro ruse “Tsarizm”.
Në vitin 2018, mediat amerikane e vendosën këtë portal në qendër të sulmeve si një pasqyrë e pështirë e propagandës pro ruse.
Shkaku ishte emri i veçantë i një personi që Wood e kishte bërë anëtar bordi të këtij websajti: Yuri Vanetik, mik dhe bashkëpunëtor i Tod Wood.
Vanetik, i lindur në Rusi është një emigrant në SHBA me profesion financier që në Shkurt të vitit 2017 u emërua bashkë-kryetar i financave të Partisë Republikane në SHBA. Ajo që pak dihej për Vanetik ishte veprimtaria e tij si lobues në kongresin amerikan për llogari të politikanëve fillimisht nga Ukraina dhe aq më pak, për lidhjen e tij të thella me rusët.
Por si doli në dritë lidhja e Vanetik me gazetarin Wood?
Vanetik u vu nën akuzë për shkelje të ligjit amerikan për lobimin. Gjatë vitit 2016 ai ndihmoi në mbledhjen e mbi 30 milion dollarëve për fushatën Trump.
Pak pasi Yuri Vanetik ishte në krye të fushatës “Great Amerika”, rezulton se në mënyrë ilegale ai ka lobuar për dy politikanë ukrainas përmes firmës së tij të lobimit “ Medowood Management LLC”.
“Në shtator të vitit 2017 ai organizoi takime private midis lidershipit të Partisë Republikane ku shërbente si financier dhe Serhiy Rybalka, deputet i partisë radikale ukrainase i cili është nën hetim për evazion fiskal, pastrim parash dhe *i cili mbështet separatistët rusë* përmes shkeljes së bllokadës tregtare të vendit”, shkruajnë mediat amerikane.
Vanetik nuk u rregjistrua në departamentin e drejtësisë si një agjent i huaj për këto aktivitete lobimi deri në 7 Tetor 2017 dhe vazhdoi të punonte me ukrainas të tjerë pro rusë, përpara se të nënshkruante sipas ligjit, një kontratë pune me ta.
Për më tepër, përmes portalit rus të Todd Wodd, ai fabrikonte lajme në favor të klientëve të tij.
Madje një të tillë e kishte shkruar me emrin e tij edhe Todd Wood, ku kundërshtonte arrestimin nga qeveria e Ukrainës të Yrina Savytskaya, për lidhjet e saj me opozitën e vendit. Asokohe Wood u tha gazetarëve se nuk kishte marrë lekë nga Vanetik për këtë shkrim, por pranoi se po, kishte një marrëdhënie shumë të afërt me Vanetik.
Vanetik, me lidhje të shumta në administratën Trump për shkak të pozicionit të tij në fushatën e tij, pranon hapur që është një mbështetës i Presidentit Rus Valdimir Putin, duke postuar edhe në rrjetet sociale, fotot e Putin.
Kështu, bashkë me Todd shkojnë të dy pas rrymës pro ruse. Emri i Vanetik përmendet në raportimet e mediave ndërkombëtare si pjesë e takimeve të politikanëve e oligarkëve rusë që synojnë të rrisin influencën ruse në SHBA.
Pra Sali Berisha ka gjetur me sa duket lidhjet e duhura për të goditur SHBA-të përmes strofullave mediatike që akuzohen nga amerikanët si të dyshimta e me lidhje të pista ruse.
Për më tepër, lidhja e Wood me Partinë Demokratike duket të jetë më e fortë se sa mund të imagjinohet. Prej kohësh ai ka promovuar edhe mesazhet e fushatave denigruese të demokratëve shqiptarë kundër Shqipërisë dhe reformës në drejtësi në vecanti.
Kështu, në vitin 2018 në një koment të publikuar në “Washington Times”, gazetari L. Todd Wood shkruante se reforma në drejtësi ishte dështim dhe se procesi i vetingut është përdorur nga Kryeministri Rama për të zhdukur kundërshtarët e tij politikë.
Gjithashtu, në Shkurt të vitit 2017, Todd Wood, shkruante se ambasadori amerikan Donald Lu, po destabilizonte Shqipërinë sipas linjës së George Soros.
Këto fjali identike shqiptarët i kanë dëgjuar në mënyrë të përsëritur në 2018 nga partia demokratike e në veçanti nga Sali Berisha, i cili sot po i risjell sërish, por kësaj here përmes miqve rusë me të cilët kërkon t’i dalë ballë për ballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.