Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka dalë në konferencë për mediat ku ka bërë të ditur se është emetuar eurobondi për Shqipërinë me vlerën 650 milionë euro. Ibrahimaj thekson se në strategji do të mbetet norma e interesit më e ulët dhe afati i maturimit më i lartë në mënyrë që të ulet kosto e borxhit për vitet në vijim.

Ndër të tjera thotë se synimet që sigurojnë risqe më të ulëta mbeten zhvillimi i mëtejshëm i tregut primar në vend dhe hapja e tregut sekondar.

Ibrahimaj: Jo vetëm në dalje të tregjeve ndërkombëtare por edhe kombëtare, ne synojmë të rrisim afatin e maturimit. Për herë të parë në nëntor, testuam një instrument i cili është 15 vjeçar. Është hera e parë që qeveria shqiptare emeton një instrument kaq afatgjatë dhe mendoj që ishte një sukses. Nga vlera që kishim parashikuar, kërkesat ishin katërfish më të larta por jo vetëm kërkesat ishin kaq të larta, duke treguar dhe konfirmuar interesin dhe besueshmërinë e investitorëve në titujt e qeverisë shqiptare, por edhe norma e interesit ishte më e ulët se ajo indikativja që Ministria e Financave kishte parashikuar.

Norma e interesit më e ulët dhe afati i maturimit më i lartë do të mbeten në strategjinë tonë e qëllimet tona me qëllim që borxhi të ketë kosto sa më të ulët për vitet që do të vijnë. Zhvillimi i mëtejshëm i tregut primar në vend dhe hapja e tregut sekondar për titujt qeveritar janë dy synime për të cilat do të vijojmë të punojmë për vitet të ardhshme pasi sigurojnë risqe më të ulëta për të gjithë aktorët e tregut për qeverinë shqiptare dhe për investitorët shqiptarë.

Dua të rishpreh kënaqësinë për daljen e suksesshme të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Për mua ishte hera e parë dhe në bashkëpunim me zv.kryeministrin mendoj që kemi bërë punë shumë të mirë dua të ritheksoj.