Ministria e Shëndetësisë në Kosovë (MSH)ka njoftuar më 10 nëntor se janë identifikuar 12 raste me variantin Delta Plus të koronavirusit, pas testimit të 70 mostrave pozitive në një laborator në Gjermani. Sipas Ministrisë, 47 mostra tjera janë identifikuar me variantin Delta.
Delta Plus është një mutacion i ri i koronavirusit dhe sipas ekspertëve mund të përhapet më lehtë.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se varianti Delta vazhdon të jetë dominues në Kosovë, megjithatë Ministria ka thënë se “ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri Delta Plus”.
“Ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike po hulumtojnë dhe gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve, detektimin e hershëm të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut për variantin e ri Delta Plus”, është thënë në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë ka regjistruar të mërkurën 14 raste të reja me koronavirus.
Sipas njoftimit, numri i rasteve të reja del pas testimit të 1,696 mostrave, apo përkthyer në përqindje, 0.82 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë me sëmundjen COVID-19.
Në 24 orëshin paraprak janë shëruar edhe 17 pacientë, ndërkaq raste aktive janë 444.
Sa i përket fushatës së vaksinimit, sipas njoftimit, në 24 orëshin paraprak janë dhënë 2.413 doza të vaksinës.
Që prej fundit të marsit të vitit 2021, kur ka filluar fushata e imunizimit kundër koronavirusit, në Kosovë janë vaksinuar 744,671 persona me të dyja dozat e vaksinës.
Ndërkaq, me një dozë janë të vaksinuar 842,794 persona./ REL