Ambasadori gjerman Peter Zingraf, dhe ambasadorja franceze, Elisabeth Barsacq kanë qenë të pranishëm në një ceremoni përkujtimi për ushtarët francezë dhe gjermanë të rënë në Korçë gjatë luftës së dytë botërore. Diplomatët e huaj kanë theksuar se fokusi dhe shqetësimi i tyre i vetëm është zhvillimi dhe mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Çështja e cila mua më shqetëson më tepër kryesisht në këtë moment është që ne të arrijmë të organizojmë konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut natyrisht me urimin më të madh që ajo të bëhet gjatë presidencës sllovene pra së shpejti dhe duke pritur gjithashtu edhe përfundimin e zgjedhjeve në Bullgari ashtu siç i tha dhe kryeministri i Holandës i cili ishte në Shqipëri dje”, ka thënë ambasadorja franceze. Ndërkaq, ambasadori gjerman është shprehur se e rëndësishme është që konferenca ndërqeveritare të zhvillohet brenda presidencës Sllovene.

“Unë do të nënvizoja ashtu siç tha kancelarja kur ishte në vizitë këtu ne punojmë të gjithë së bashku me partneritete në mënyrë që konferenca e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mund të realizohet brenda presidencës Sllovene dhe të jeni të sigurtë që në të gjithë po punojmë në këtë drejtim dhe shpresojmë që të bëhet”, ka thënë ai.