Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punën për transformimin e shërbimit të urgjencës, qendrës së gruas dhe sallave të operacionit në Maternitetin ‘Koço Gliozheni’, ku deklaroi se do rriten kapacitetet dhe cilësia e shërbimit për nënat dhe fëmijët.
“Është një investim në zemër të spitalit sepse i shërben jo vetëm strukturës së qendrës së pritjes për gratë, urgjencës, triazhimit, spitalit ditor i cili po rehabilitohet tërësisht, por gjithashtu janë sallat operatore, sallat e lindjes, të cilat tashmë me rehabilitimin dhe gjithë investimet që po bëhen në këtë spital, do të jenë sipas standardeve bashkëkohore. Jam e kënaqur që përpos investimeve në infrastrukturë, investimi është edhe në pajisje teknologjike, pra që do të rrisin akoma më shumë cilësinë e shërbimeve që ne ofrojmë për nënat dhe të porsalindurit”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë theksoi se me buxhetin e 2022, investimet në sektorin e Shëndetësisë vijojnë me programin e nënave dhe fëmijëve, duke fuqizuar maternitetet dhe pediatritë në vend.
“Investimet me buxhetin 2022 do të vazhdojnë të prekin programin e nënave dhe fëmijëve, duke fuqizuar maternitetet, duke fuqizuar gjithashtu dhe pediatritë në të gjithë vendin. Ne do të finalizojmë këtë investim që kemi nisur në maternitetin “Koço Gliozheni” gjatë 3-mujorit të parë të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që do të vijojmë investimin në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Do të finalizojmë investimin në maternitetin e Kukësit, pediatrinë e spitalit Elbasan dhe në spitalet e tjera rajonale, investime të cilat hapen me buxhetin e vitit 2022”, tha Manastirliu.
Qeveria shqiptare ka financuar rreth 1 milion dollarë në fazën e parë të investimit në Maternitetin “Koço Gliozheni” për rikonstruksionin e bllokut operator, bllokut të lindjes, qendrës së gruas, urgjencës dhe pajisjen e tyre me aparatura mjekësore të standardeve më të mira. Na fazën e dytë do të kryhet rikonstruksioni i shërbimit të neonatologjisë, ndërsa në fazën e tretë do të jetë investimi në sistemin e veshjes dhe paneleve diellore, për të bërë edhe kursimin e energjisë, për të qenë edhe ne pjesë e aksinonit global për eficençën e energjisë.