Nga Artur Ajazi
U bë një kohë e gjatë, afro 3 dekada, që themi dhe ç’nuk themi për “shkeljet ligjore, për ata që shkelin ligjin”, por harrojmë të themi se, kush e ka nxitur shkeljen e ligjit. Periudha e tranzicionit në Shqipëri, dhe ndërrimi sistemit nga ai socialist në demokraci, u shoqërua me fenomene të çuditshme tek ne. Kjo ishte (dhe mbetet) aq e vërtetë, sa që të huajt shqyenin sytë, tek shikonin se si kishte nisur “demokracia” në Shqipëri. Jo vetëm që prona nuk u rikthye tek i zoti, por çakenjtë nisën ti hynin zanatit të vjedhjes, grabitjes, dhe tjetërsimit me finesë. Në zyrat e shtetit, të mbushura me militantë partie (shumica pa shkollë) ekzistonte fryma dhe mendimi se “gjithçka mund të marrësh, gjithçka mund të përvetësosh, mjafton të ngresh 2 gishtat lart”.
U bë badërrdia, u vodhën arkiva, dosje pronash, dosje penale, u shitën dhe blenë troje në det dhe liqen, u privatizuan pyjet, lumenjtë dhe ndryshuan shtratet e tyre, shkelja e ligjit ishte kthyer në normalitet. Sot mund të ishe i papunë, dhe në rast se i shërbeje partisë-shtet, nesër gdhiheshe drejtor, zv/ministër, kryetar dege i partisë, apo drejtor policie. Universitetet private që mbushën vendin, nisën të punonin “24 orë non-stop”, për të mbushur me 2-3 diploma militantët dhe njerëzit e partisë-shtet. Shkelja e ligjit ishte normalitet, zbatimi i tij, trajtohej si anormalitet. Kjo ishte situata më absurde, që kishte njohur ndonjëherë ky vend. Një mikun tim e shkarkuan nga detyra në 1993, me shkollim dhe specializim në Francë, dhe vendin e tij e zuri një ish-i dënuar për vjedhje,që jo vetëm nuk kishte shkollë,por u tregonte punonjësve të administratës, portretin e Berishës të gdhendur në gjoks. Kaosi dhe anarshia vinte si pasojë e moszbatimit dhe shkeljes së ligjit,dhe askush nuk përgjigjej.
Gjykatat dhe prokuroritë, u mbushën me kursantë të plepave, që vetëm drejtësi nuk dinin dhe nuk jepnin. Ata vinin nga rruga, ata vinin nga mitingjet, dhe kishin për mision vetëm zhvatjen e qytetarit. Gjithkush pyeste, si mund të ecet kështu, si mund të zhgënjehemi kështu, kur prisnim të vendosej shteti ligjor, të rikthehej prona, të lejohej fjala dhe mendimi i lirë ? Askush nuk përgjigje, dhe politika aq më pak. Klasa politike, por më shumë ajo që nisi të drejtonte vendin pas ndryshimit të sistemit, ishte futur e gjitha në llum dhe qorrsokak.Ambasadorët (duke mos përmendur drejtuesit e institucioneve) emëroheshin nga kafeneja e “të fortit të partisë”, i cili telefononte ministrin apo drejtuesin politik, për ti dhënë urdhërin e rradhës. Sërish askush nuk përgjigjej për shkeljen e ligjit. Absurditeti që mbuloi shtetin, ishte viti i mbrapshtë 1997. Në kundërshtim të hapur me ligjin, ministra dhe drejtues institucionesh, urdhëruan verbalisht “të zbrazen burgjet, të zbrazen drejtoritë, ikni në shtëpi, po na vijnë lebërit”. Tani as që bëhej fjalë për shtet, dhe zbatim ligji. Fjalën e kishin armët, grupet kriminale, sepse të emëruarit e partisë-shtet, ja kishin mbathur pasi kishin vjedhur gjithçka nga vendi i punës. Politika drejtuese e shtetit,u bë palë me ata që degraduan shtetin dhe institucionet. Koha kaloi shpejt, dhe Shqipëria dukej sikur i ishte kthyer normalitetit, jo se Fatos Nano bëri mrekulli. Por ishte vendosur kontrolli i territorit, u eleminuan bandat, u dënuan kriminelët. Por kjo nuk do të zgjaste shumë, pasi ata që u rrënuan njëherë këtë vend, nuk hiqnin dorë nga pushteti.
Erdhën sërish në 2005, dhe e nisën nga e para. Zbrazën institucionet, dhe i mbushën me sojin dhe sorrollopin e tyre, me militantë që “zjenin” nga urrejtja dhe etja për të vjedhur dhe shkelur ligjin. Shqipëria u rikthye edhe njëherë atje ku ishte. Politika e mbrapshtë, nisi ti lërë dorë të lirë, abuzuesve, batakçinjve, dhe elementëve me të shkuar kriminale. Pushteti nisi të përkthehej në “mbush xhepat, zhvat sa të mundesh, mos pyet për ligjin”. Zoti e deshi shumë këtë popull, dhe nuk e zgjati shumë pushtetin e zullumqarëve, e atyre që e futën vendin në borxhe të pafundme, dhe shkeljen e ligjit e noterizuan me vendime të padrejta drejtësie. Ikën nga pushteti ata që u bënë për dekada “ortakë” me shkelësit e ligjit, ikën për të mos ardhur më në pushtet.
Edi Rama po i tregon me gisht avoketërit e antiligjit, nsitësit e shkeljes së ligjit, i ka treguar me gisht ata që kanë strehuar në zyrat e partisë tyre abuzuesit dhe milionerët e pushtetit të djeshëm, për ti bërë të qartë se, koha e tyre ka mbaruar. Edi Rama e ka bërë dhe do ta bëjë, derisa ti demaskojë, ata që kanë qenë dhe janë e keqja më e madhe e jo vetëm e politikës, por edhe e të ardhmes së këtij vendi.