Sezoni i vjeljes së mandarinave sapo ka nisur në plantacionet e Konispolit, ku të gjithë fermerët janë të angazhuar për të mbledhur prodhimin që duket se është i mbarë. Përpos tregut vendas, mandarinat e Konispolit kanë kapur edhe tregun e Kosovës. Tregtari i shumicës nga Prishtina, Shefik Latifi shprehet se mandarina e Konispolit është më e mirë se ato të Italisë dhe Greqisë.
“Është më e mirë se e Italisë dhe e Greqisë, ka më shumë lëngë dhe çmimi është më i lirë. Tek ne preferojnë më shumë mandarinat e Sarandës”, tha një tregtar. Aktualisht fermerët i shesin mandarinat me 50 lek/ kg me shumicë, por i druhen rënies së çmimin deri në fund të muajit kur shënohet kulmi i sezonit. Ata kërkojnë subvencione për pesticidet dhe plehrat kimike si dhe përcaktimin e çmimit dysheme nga shteti.
“Në krahasim me vitin e kaluar, sivjet cilësia e mandarinës është më e mirë, por çmimi është në rënie! presim të ketë një çmim standard edhe për ne fermerët edhe për eksportin”, tha një fermer.
Në zonën e Konispolit rreth 90% e banorëve merren me kultivimin e mandarinave dhe prodhimi i këtij viti pritet të shkojë në 50 mijë ton. (Shqiptarja.com)