Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikoi sot mesazhin e këngëtares së shquar Manjola Nallbani , e cila i bën apel qytetarëve të vaksinohen kundër COVID-19. Nën moton “Jeta jote vlen”, Nallbani theksoi se vaksinimi është mënyra më e mirë për të qenë të sigurt.

“Unë zgjodha të vaksinohem sepse mendoj se është mënyra më e mirë për të qenë më e sigurt për veten time si dhe për ata njerëz që në asnjë mënyrë nuk dua të rrezikohen nga unë, që janë familjarët dhe njerëzit e mi të dashur”, u shpreh në mesazhin e saj këngëtarja Manjola Nallbani.

Prej fillimit të vaksinimit në vendin tonë janë kryer në total 2,050,342 doza të vaksinës kundër COVID-19.Deri tani janë kryer 1,059,927 doza të para; 942,903 doza të dyta dhe 47,512 doza të treta. Vaksinimi ndaj COVID-19 është i hapur për të gjithë personat +16 vjeç si dhe fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar.