Kryeministri Rama ka qartësuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën dhe turqinë. I pyetur nga gazetarja e France 24 kryeministri u shpreh se nuk ka asgjë për tu theksuar në marrëdhëniet me këto vended he se nuk ka asnjë strategji që bie ndesh me integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian.
Gazetarja: Ju pritët në Tiranë ministrin e Jashtëm kinez. Për çfarë ka realisht nevojë vendi juaj të ndihmohet nga Kina? Në përgjithësi, a është kjo në përputhje edhe me marrëdhëniet tuaja shumë të mira me Shtetet e Bashkuar dhe Turqinë e Recep Tayyip Erdogan? Shihet qartë se ka një interes të madh për të gjitha këto fuqi në rajonin tuaj, në Ballkan dhe në vendin tuaj.
Rama: Jo, në kornizën e bashkëpunimit të Kinës me të ashtuquajturin grup të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, pra vendet ish-komuniste, formati 17 + 1, Shqipëria nuk ka marrë thuajse asgjë. Do të thotë se kemi marrëdhënie të mira, por për sa i përket pranisë së investimeve, apo ndihmës kineze nuk ka asgjë të veçantë për t’u theksuar. Ndërkohë që Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë ashtu si Greqia dhe Italia.
Është një trekëndësh shumë i rëndësishëm historikisht dhe tradicionalisht. Janë popuj, vende mike dhe për mendimin tim, personalisht, Turqia nuk ka një strategji në Ballkan që bie ndesh me integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian.
Gazetarja: As për islamizmin, për çështjen e Islamit dhe modelin e tij pikërisht mysliman?
Rama: Nuk ka asgjë në këtë drejtim, kam dëgjuar shumë fjalë dhe kam lexuar shumë shkrime që thonë se xhamitë po lulëzojnë në Ballkan, duke përfshirë edhe Shqipërinë, por ju them se që prej 30 vjetësh, vetëm një xhami, një xhami e bukur, është ndërtuar me ndihmën e komunitetit mysliman turk. Vetëm një.