Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, në një mbledhje qeverie ka propozuar disa masa anti-COVID për të parandaluar pandeminë. Mësohet se ‘Shëndetësia’ ka propozuar që çdo person që hyn në Kosovë duhet të ketë certifikatën e vaksinimit të plotë ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë.
“Disa masa të reja do të propozohen nga MSH për Qeverinë, bazuar në situatën epidemiologjike dhe rreziqet që mund të vijnë edhe nga varienti Omicron, dhe ato pritet të miratohen së shpejti dhe duhet të zbatohen nga të gjithë. Zbatimi i masave me korrektësi dhe vaksinimi janë aktualisht rruga që duhet ndjekur për të parandaluar përkeqësimin e situatës”, është thënë nga MSH.
Sa i përket orës policore, ajo do të vazhdojë të qëndrojë nga ora 00:00 deri në ora 05:00, ndërsa, qytetarët do të vazhdojnë të mbajnë maskat.
“Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.”-shprehet MSH.
Sipas MSH-së, obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës.
Po ashtu, obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.
Zëdhënësi për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për Express se do t’ua propozojnë Qeverisë masat e reja bazuar në situatën epidemiologjike në rajon. Sipas tyre, këto masa pritet të miratohen së shpejti dhe të zbatohen nga të gjithë.
Ekspertë të shëndetësisë kanë paralajmëruar rëndim të gjendjes së pandemisë. Dy ekspertët austriak të shëndetësisë, Stefan Thurner dhe Peter Klimek në një shkrim të publikuar në “DerStandard”, kanë thënë se Kosova tashmë e ka kaluar valën e saj të katërt, mirëpo sipas tyre, mund ta paguaj me çmim të lartë pandeminë.
“Në fund të gushtit, kur incidenca në Austri ishte ende mjaft e ulët në rreth 140, me një mesatare shtatëditore prej 1000 rastesh për milion banorë, atje numëroheshin më shumë infeksione se kurrë më parë. Shembulli i Kosovës tregon kaq qartë. Vdekshmëria e tepërt atje në fund të shtatorit – të dhënat më të fundit të disponueshme nga kjo pikë në kohë – ishte mbi 160 për qind. Kjo do të thotë: në atë moment kohe, më shumë se dy herë e gjysmë njerëz vdiqën në Kosovë sesa do të pritej të vdisnin në një vit normal. Ata gjithashtu vdiqën sepse kaq shumë njerëz që u infektuan në të njëjtën kohë sa që sistemi ishte i mbingarkuar”, ka shtuar Klimek.
Vende të rajonit, si Shqipëri, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi po regjistrojnë shifra të larta të infektimeve me COVID-19. Një gjendje më e rëndë po paraqitet nga shtetet si Gjermania, Holanda e Britania. Kujtojmë që Kosova po regjistron shifra të ulta të infektimeve me COVID-19, ndonëse situata në rajon paraqitet krejtësisht ndryshe. Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 8 raste të reja dhe 1 viktimë pas disa ditësh me radhë kur nuk kishte fatalitete.