Parku natyror Korab-Koritnik, po kthehet gjithnjë e më shumë në destinacionin e turistëve të huaj dhe vendas, sidomos gjatë stinës së vjeshtës.

I cilësuar si një nga zonat më të bukura që ka rajoni i Kukësit dhe veriu i Shqipërisë, ky park shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe në të mund të gjesh gjithë bukurinë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, tha sot për ATSH-në se “gjatë muajit shtator parkun natyror Korab-Koritnik e kanë vizituar 6230 vizitorë, ndërsa në muajin tetor 5420 vizitorë”.

“Gjatë muajit shtator ky park u vizitua nga 3750 turistë vendas dhe 2480 të huaj, ndërsa gjatë muajit tetor kanë qenë 4850 vendas dhe 570 të huaj. Vizitorët e huaj janë kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut”.

Sipas tij, ndër destinacionet më të preferuara të këtij parku janë Shtegu i Ngjyrave, si dhe shtegu “Brekijë-Tërshenë-Shkalla e keqe”.

“Çdo fundjavë disa guida turistike të qytetit shoqërojnë turistët duke përshkruar këto shtigje turistike”, tha Gjana.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.