Mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, do të zhvillohet në 26 nëntor në qytetin e Elbasanit.
Zyra për shtyp e Kryeministrisë publikoi sot agjendën e mbledhjes së dy qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës
Sipas agjendës në orën 09.45 mbërrin delegacioni i Republikës së Kosovës.
Në orën 10.00 zhvillohet ceremonia e pritjes së kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Më pas vijohet me luajtjen e himneve kombëtare dhe nderimet ushtarake nga Truproja e Nderit e Republikës së Shqipërisë
Në orën 10.10 zhvillohet çelja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive Shqipëri-Kosovë
Në orën 11.20 zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare.
Në orën 11.30 mbahet konferenca e përbashkët për shtyp e dy kryeministrave.
Në orën 12.05 do të ketë foto të përbashkët.
Në orën 13.10 nis forumi i Biznesit Shqipëri – Kosovë, ku do të ketë bashkëbisedim mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me përfaqësuesit e bizneseve.
Kjo do të jetë mbledhja e 7-të e përbashkët mes dy qeverive, ku pritet të nënshkruhen edhe disa marrëveshje të rëndësishme.
Në mbledhjen e dy qeverive marrëveshjet të cilat do të firmosen, do të prekin fusha si ekonomia, bashkëpunimi diplomatik dhe konsullor, arsimi, drejtësia, shkenca apo kultura.
Kosova dhe Shqipëria kanë filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014, duke u cilësuar si takim historik.