Në një kohë kur numri i infektimeve me COVID-19 është rritur ndjeshëm në Gjermani, kancelarja në detyrë, Angela Merkel, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit. Merkel thotë se dimri do të sjell shtim rastesh, prandaj duhet të merren masat për ta përballuar këtë periudhë.
“Nëse qëndrojmë së bashku, nëse mendojmë që të mbrojmë veten dhe të tjerët, ne mund ta shpëtojmë shtetin tonë gjatë këtij dimri”, tha Merkel.
Sipas Qendrës për kontrollin e sëmundjeve në Gjermani, niveli i infektimit ka arritur në 277.4 raste në 100.000 banorë gjatë shtatë ditëve të fundit.
Instituti Robert Koch ka raportuar për 45.081 infektime të reja, dy ditë pasi rastet ditore tejkaluan shifrën prej 50.000 infektimesh për herë të parë që prej shpërthimit të pandemisë. Gjermania deri më tani ka regjistruar 97,617 viktima me COVID-19.