Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë në Kosovë dhe ministri Ulsi Manja kanë prezantuar marrëveshjen që do të nënshkruhet ditën e sotme mes dy vendeve, gjatë mbledhjes së mbajtur në Elbasan mes dy qeverive.
Haxhiu u shpreh se së bashku me Ministrin Manja ka një bashkëpunim të shkëlqyer dhe do të fuqizojnë këtë punë për të bërë përpara edhe për Reformën në Drejtësi. Ndërsa këtë bashkëpunim të mirë mes tyre e ka pohuar edhe Ministri Manja, i cili tha se së bashku me ministren e konsiderojnë veten bashkudhëtarë drejt një procesi drejt rrugës për në integrimin në BE.
Më tej ministry shton se marrëveshja që do të nënshkruhet sot do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset e dy vendeve, të cilat do të marrin shërbime që kanë të bëjnë me çështjet civile dhe tregtare.
Albulena Haxhiu: Jam e lumtur që do të nënshkruajmë një marrëveshje të rëndësishme, për ndihmë të ndërsjellët juridike. Me ministrin Manja kemi një bashkëpunim të shkëlqyer dhe do ta fuqizojmë këtë punë, edhe për Reformën në Drejtësi.
Ulsi Manja: Zbatimi i marrëveshjeve që do të nënshkruajmë sot mes dy qeverive sigurisht që lehtësohet në rast se adoptojmë sistemet tonë ligjore. Unë dhe ministrja e konsiderojmë veten bashkudhëtarë drejt një procesi në rrugën tonë të integrimit në BE. Me qeverinë e Kosovës në fushën penale bashkëpunimi është në nivelet më të larta përkundrejt marrëveshjeve dy palëshe që kemi nënshkruar me shtetet e BE. Marrëveshja e sotme për bashkëpunimin juridik përfituesit do të jenë qytetarët e dy vendeve tona që do të kenë qasje të drejtpërdrejtë në autoritetet tona gjyqësore për të marrë shërbime që kanë të bëjnë me çështjet civile apo tregtare. Përfitues do të jenë edhe bizneset, risi kryesore është qasja unike që do të kenë qytetarët dhe bizneset në gjykatat respective, ndihma juridike që do të përfitojnë falas për kategori vulnerabël. Besoj që kjo marrëveshje dhe të tjera që ne do të nënshkruajmë, jam dakord me Haxhiun që ministria është vënë në dispozicion për të ofruar asistencën tonë ligjore, krijojmë urat e komunikimit për afrimin drejt BE.