Diaspora ka kaluar nën përgjegjësinë e Ministrisë së Jashtme pas shkrirjes së Ministrisë së Shtetit për Diasporën, ndërsa Ministrja Olta Xhaçka u shpreh se kjo do të risjellë risi. Xhaçka theksoi se do të ketë intensifikim të punës përgjatë 2022 dhe se qasja ndaj diasporës do të bëhet edhe më qendrore për Politikën e Jashtme. Xhaçka shtoi se Ministria e Jashtme do të jetë e angazhuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Sa i takon marrjes nën fushën e përgjegjësisë të gjitha agjencive të diasporës dhe shkrirjes së ministrisë së Shtetit për Diasporën. Pas miratimit të strategjisë kombëtare për diasporën, Ministrisë së Jashtme i drejtohet përgjegjësia e drejtimit të kësaj strategjie dhe kjo shkrirje vjen natyrshëm dhe përmes shkrirjes së agjencive dhe ky rol i Ministrisë së jashtme, përmes unifikimit ofron një qasje më koherente drejt politikave të angazhimit të diasporës duke kombinuar drejtimet ekzistuese të politikave në një ombrellë të vetme, në vend të atij me shumë drejtime. Do vijojmë të punojmë me diasporën, ku angazhim mund të ndodhë përmes strategjisë aktuale, pro edhe i një vëmendje të shtuar. Qasja ndaj diasporës do të bëhet edhe më qendrore për Politikën e Jashtme. Mbetemi të angazhuar që të zhvillojmë dialog të qëndrueshëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe besoj se kjo shkrirje do të sjellë vetëm risi dhe gjëra pozitive”, u shpreh Xhaçka.