Nga Ardit Rada
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i cili fitoi mbi 20% të komunave në zgjedhjet lokale, sërish mori përgjegjësinë mbi supe duke dhënë dorëheqjen. Pak ditë nga akti i fortë i tij, Zaev e shtyu dorëheqjen deri në stabilizimin e vendit. Por, ai duhet të ndihet shumë komod politikisht sot pas rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë.
Përballë tij kemi një tjetër personazh politik ballkanas, që ka pësuar një humbje shumë më të thellë në zgjedhjet lokale. Albin Kurti arriti që të fitojë vetëm 4 komuna, ose thënë ndryshe rreth 10% të totalit. Kurti humbi të gjitha komunat e mëdha, përfshirë edhe Prishtinën.
Pavarsisht rezultatit dërrmues që tregon humbjen e besimit të qytetarëve të Kosovës ndaj VV-së dhe natyrisht ndaj liderit të tyre Albin Kurti, ky i fundit doli para mediave dhe foli sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Ndoshta ai e di tanimë që kuotat e tij janë në pikën më të ulët, por kjo prapë është në kontradiktë të thellë me deklaratat e tij të kahershme.
Përpara zgjedhjeve lokale në Kosovë, Kurti deklaronte se ai do të fitonte mbi 80% të komunave. Më pas ai deklaroi se do të fitonte 50% të komunave, derisa mori rezultatin dramatik, me vetëm 4 komuna të fituara, por karrigen e tij nuk e vuri kurrë në diskutim. Kjo qasje e Kurtit e cila as nuk ka të krahasuar me atë të Zoran Zaev, tregon edhe moralin e kryeministrit të Kosovës i cili prioritet ka pushtetin e tij personal dhe jo rregullin e politikës që kur humbet, largohesh.
Sot, pas qëndrimit të Albin Kurtit i cili humbi shumë më thellë se partia e Zaev, ky i fundit duhet të ndihet shumë komod për aktin e tij. Vendimi i Kurtit për të vazhduar si kryeministër dhe pas humbjes së thellë, ia rrit shkëlqimin precedentit të Zaevit, i cili dha një shembull kuptimplotë në Ballkan që kur humbet, largohesh. Albini tregoi edhe njëherë se ato që ai thotë nuk kanë asnjë lidhje me ato që ai bën.