Nga Eduard Zaloshnja
Pasi Sekretari i Shtetit Blinken e shpalli persona non grata, Berisha hapi ndaj tij një çështje gjyqësore civile për shpifje në Paris, meqë shpallja u bë në Twiter, e ku i fundit lexohet edhe në Francë (si kudo në botë). Ndërkohë ai deklaroi se nuk do ta përfshinte PD-në në këtë çështje, duke e ditur se shumë demokratë e përkrahnin në heshtje në atë situatë. (Në fakt, në Kuvendin veror të PD-së, shumica dërrmuese e delegatëve e shprehën hapur përkrahjen për të, duke e brohorihtur në sallën e mbushur plot).
Deri më 9 shtator, kur Basha e pezulloi nga grupi parlamentar i PD-së, narrativa e Berishës për atë që kishte ndodhur ishte e thjeshtë: Soros, i mërzitur që Berisha kishte penguar ndarjen e Kosovës, i kishte mbushur mendjen mikut të tij Blinken, që ta shpallte persona non grata, me akuza të servirura nga miku i tij Rama. (Edhe pse opinionistë të ndryshëm sillnin në vemëndje të publikut të dhëna se ideja për shkëmbime territoriale mes Kosovës e Serbisë e kishte origjinën në Administratën Trump, Berisha dhe njerzit pranë tij vazhdonin ta përsërisnin pa u lodhur këtë narrativë).
Pas vendimit të Bashës më 9 shtator, Berisha filloi serinë e foltoreve, ku narrativa u pasurua. Bashkëpunëtor i Sorosit dhe Ramës ishte edhe Peng Basha. Të tre kishin një plan aftagjatë për ndarjen e pushtetit në Shqipëri. Dhe tani, përveç atij gjyqit civil ndaj Blinken në Paris, do të zhvillohej edhe një revolucion paqësor brenda PD-së, për spastrimin e saj nga soroistët. Objektivi final i revolucionit do të jetë rikthimi i Berishës si Kryeministër, sapo në Shtëpinë e Bardhë të rikthehet Trump ose një besnik i tij, dhe në Departamentin e Shtetit të vijë një Sekretar që do ta shfuqizojë statusin non grata për Berishën.
Kjo narrativë duket se ka funksionuar në sinorin elektoral të PD-së.
Fill pas 9 shtatorit, më rastisi të zhvilloj një sondazh shumë rigoroz me intervista të drejtpërdrejta në çdo cep të Shqipërisë, ku u pyet edhe se për cilin nga katër politikanët kryesorë kishin opinionin më pozitiv të anketuarit. Raporti mes përkrahësve të Berishës dhe Bashës më doli i barabartë atëherë: Për çdo përkrahës të Berishës, kishte një përkrahës të Bashës.
Por pas një serie disa javore foltoresh, ky raport ka ndryshuar rrënjësisht. Si sondazhet publike të mediave, edhe ato private që kam zhvilluar vetë, tregojnë se raporti i përkrahësve është aktualisht 5 me 1 në favor të Berishës. Gjë që trgon se, sado të përpiqet Basha me manovrat juridike të Kuvendit të 18 dhjetorit, zotërues i sinorit elektoral të PD-së do të jetë shumë shpejt Berisha.
Por pas triumfit eventual në sinorin e PD-së, Berishës i mbetet të ngjitet në maloren e fortë që ka pikturuar në narrativën e ndërtuar prej tij.
Deri në 20 janar 2025, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit do të jenë demokratët zotër (gjë që do të thotë se qendrimi i administratës amerikane ndaj Berishës nuk do të ndryshojë). Në qoftë se Trump ose një besnik i tij i fiton atëherë zgjedhjet (gjë që ka gjasa të ndodhë), do të duhen disa muaj të bëhen ndryshime themelore në administratë, e cila do të ketë probleme shumë më të rëndësishme se Shqipëria për t’u marrë në muajt e parë. Ndërkohë, zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të jenë zhvilluar, ku PD-ja do të jetë përballur me makinerinë elektorale të Ramës, e cila i ka llogaritur qysh më 2009-ën se sa votues të majtë ka në secilën nga 5200 qendrat e votimit, dhe që vazhdimisht prodhon rreth 800 mijë vota të majta (PS+satelite) në rang vendi.
Përballë një makinerie të tillë, PD-ja e Berishës mund ta ketë një shans të fitojë, në qoftë se zhvillohen zgjedhje të parakohëshme në SHBA dhe Sekretari i ri i Shtetit shfuqizon statusin non grata të Berishës. Por Kushtetuta Amerikane nuk parashikon në asnjë rast zgjedhje të parakohëshme presidenciale…
Një shans tjetër për PD-në e Berishës mund të jetë një frakturë e fortë në PS, si ajo para zgjedhjeve të 2005-së (që e solli Berishën atëherë në pushtet). Por zëra të veçuar desidentë në sinorin socialist (si i Braçes, p.sh.) nuk mjaftojnë për një frakturë serioze…
Sa për opsionin e sulmit mbi Kryeministrinë (që qarkullon nën zë nëpër kafene), Berisha e ka provuar më shtator 1998 dhe Rama më janar 2011. Nuk funksionon!