Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije sot se nga 1 korriku i 2022, taksa për pagat deri në 40 mijë lekë do të jetë zero. Heqjen e takës për paga deri në 40 mijë lekë, Rama e paralajmëroi gjatë fushatës zgjedhor.
‘Nga 1 korriku, zero taksë për pagat deri në 40 mijë lekë’, shkruan Rama në Facebook.
Ndërkohë nuk kanë munguar reagimet në këtë postim të kryeministrit, ku komentuesit i kanë kërkuar llogari Ramës për rritjen e çmimeve.
“I bie të mos marrësh taksa nga gjysma më e madhe e shqiptarëve dhe s’besoj të jesh aq sa të pranosh. Diku do i fusësh ato taksa ti, në ndonjë faturë apo rritje çmimi”, thotë një komentues.
Nga ana tjetër, Rama thekson edhe njëherë se çmimet nuk kanë lidhje me qeverinë, pasi as nuk ngre dhe as nuk ul çmime në sistemin e ekonomisë së tregut.
“E para çmimet nuk kane asnjë lidhje me qeverinë, që as nuk ngre as nuk ul çmime në sistemin e ekonomisë së tregut dhe e dyta, mos u çudit fare sepse ky është një zotim i marre publikisht që do të mbahet në vitin 2022 dhe do të mbahet në vitin 2022, pasi të miratohet në parlament këtë vit””, u përgjigj Rama.
Prej disa javësh tashmë, në vend ka patur një rritje të çmimeve, duke filluar nga ai i bukës e po ashtu edhe produkteve të tjera të shportës. Po ashtu rritje ka pësuar edhe çmimi i karburanteve.