Ministri i Brendshëm u shpreh se është miratuar një nga marrëveshjet që do të nënshkruhet të premten mes qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare, që ka të bëjë më lejet e qëndrimit.
“Sot miratuam një nga marrëveshjet që do nënshkruajmë ditën e premte, në mbledhjen midis qeverisë të Kosovës dhe Shqipërisë, që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektivë, është një lajm i mirë për shtetasit e Kosovës, që do të marrin thjesht me një aplikim dhe pa dokumente menjëherë lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri, brenda do të jetë edhe leja e punës. Është lajm i mirë edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë që do të marrin leje qëndrimi në Kosovë për të qëndruar atje me procedura më të lehtësuar që janë sot. Është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda sektorëve që përfshin Ministria e Brendshme”, u shpreh Çuçi.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka përsëritur se nuk do të ketë kamp refugjatësh në Shqipëri për emigrantët e paligjshëm që futen në Britani.
Gazetarja: Personat që do të hyjnë në Shqipëri do të kalojnë pika doganore, a do jetë Shqipëria vend tranzit për azilkërkuesit?
“Nuk do të ketë kampe refugjatësh për interesa të vendeve të tjera në Shqipëri. Kjo është thënë qartë. Në lidhje me përcaktimin që i referoheni, është e kundërta, është një përcaktim që edhe kur kalojnë tranzit, nuk do të qëndrojnë në Shqipëri por do të përgjigjen vendet e origjinës. Pra është e kundërta e asaj që thuhet në media”, tha Cuci.