2.1 milionë raste infektimi me Covid-19 janë regjistruar në Europë vetëm në 7 ditët e fundit, duke thyer kështu një rekord të ri përsa i përket infektimeve javore.
Britania, Gjermania, Rusia, Ukraina dhe Turqia kanë shënuar një rritje me 50 % të rasteve të infektimeve me Covid-19.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se numri i viktimave është rritur me 10 % dhe vdekjet ditore janë në mbi 4 mijë.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve u shpreh se situata po përkeqësohet. Polonia, Bullgaria, Holanda, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Greqia, Hungaria dhe Sllovenia janë në kategorinë e shteteve me shqetësimin më të lartë.
Pas vendosjes së kufizimeve në Holandë dhe pas vendimit të Austrisë për karantinimin e të pavaksinuarve në disa rajone, duket se situata po tejkalon limitet.
Gjermania, e zënë ngushtë nga rastet rekord të infektimeve ditore, ku shifrat arritën në mbi 50 mijë, po mendon të konsiderojë vaksinimin e detyrueshëm.
Rusia prej disa ditësh ka shënuar mbi 1200 vdekje ditore dhe Parlamenti pritet të miratojë dy projektligje mbi masat kufizuese.
Teksa zgjidhja e vetme ndaj kësaj luftet mbetet vaksina, krerët europianë të gjetur përballë skepticizmit të popullatës, duket se do të jenë nën trysninë e vendimmarrjes për një mbyllje tjetër.