Liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut po zhvillojnë konferencwn në Beograd në kuadër të nismës së përbashkët rajonale “Open Balkan”

Vendi ynë përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, kryeministri Zoran Zaev zëvendësohet nga zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, pasi pak ditë më parë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, ai u dorëhoq pas humbjes së thellë në zgjedhje, ndërsa Serbia përfaqësohet nga Aleksandar Vuçiç. Edhe ky takim i radhës e gjen iniciativën e Ballkanit të Hapur pa Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën.

Edhe pse kreu i qeverisë malazeze ishte pjesë e darkës së djeshme në Beograd krah Ramës dhe Vuçiç, ndërsa ka thënë se mbështet cdo nismë që i vjen në ndihmë rajonit.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Nisma për bashkëpunim rajonal u përkrah edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE dhe Gjermania e cila doli në një deklaratë ku kërkoi me urgjencë që të nënshkruhet marrëveshja për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor. Por Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj nisme, edhe pas thirrjeve për bashkëpunim.