Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, gjatë vizitës në Britaninë e Madhe pati një takim me homologen, Priti Patel, e cila ishte disa muaj më parë gjithashtu për vizitë zyrtare në Tiranë. Çuçi thotë se falë besimit dhe përkushtimit të dyanshëm, Shqipëria dhe Britania e Madhe i kanë kapacitetet për ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacionale.
“Luftën kundër krimit të organizuar nuk e bëjmë dot veçmas, prandaj duhet të bashkërendojmë përpjekjet dhe resurset tona në çdo kohë”, shprehet ministri Çuçi.
Temë tjetër e diskutimit ishte edhe emigracioni i paligjshëm, për të cilin ministri Çuçi shprehet se ky problem nuk mund të adresohet pa përmirësuar kushtet e emigracionit të ligjshëm.
“Diskutuam gjithashtu edhe për emigracionin e jashtëligjshëm, i cili kurrsesi nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit të ligjshëm. Në këtë pikë i kërkova homologes britanike të rishikojë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale. Në këtë pikë gjeta mirëkuptimin e saj të plotë duke më shprehur gjithashtu angazhimin për të bërë gjithçka duhet për integrimin e tyre”, thotë më tej ministri Çuçi.
Ministri i Brendshëm vlerëson gjithashtu mbështetjen britanike për reformimin e Institutit të Policisë Shkencore.
“Asistenca britanike për Institutin tonë të Policisë Shkencore është një ndihmë që ne e çmojmë shumë. Me reformimin e këtij institucioni dhe adaptimin e teknologjisë e metodave moderne, do të plotësojmë një nga hallkat më kritike të zinxhirit të hetimit dhe dokumentimit të ngjarjeve kriminale në vend”, shprehet Çuçi.