Me një investim prej rreth 3 milionë dollarë, të akorduara nga Banka Botërore nëpërmjet Projektit të Zhvillimit të Integruar Urban dhe Turizmit, ka përfunduar rikonstruksioni i plotë dhe zgjerimi i rrugës së vetme që të çon drejt Kalasë së Beratit, e quajtur rruga “Muzak Topia”.
Totalisht e shkatërruar prej vitesh dhe e shndërruar në një nga rrugët me aksidente të shumta, tashmë rruga e Kalasë së Beratit është shndërruar në një rrugë me parametra të larta bashkëkohore.
Për kryebashkiakun e Beratit, Ervin Demo, rruga e Kalasë së Beratit është një nga investimet më të rëndësishme në qytet, jo vetëm për cilësinë dhe parametrat e saj të lartë por edhe për impaktin që ajo sjell në turizëm.
Sipas tij, nga pikëpamja e zhvillimit turistik të Beratit kjo rrugë ka një rëndësi strategjike pasi garanton që aseti kryesor që ka qyteti (Kalaja) të jetë lehtësisht i aksesueshëm por edhe i sigurt, pasi vite më parë ka pasur mjaft raste të bllokimit të mjeteve apo aksidenteve në këtë aks, si rrjedhojë e kushteve jo të mira të rrugës.
“Rrugën e Kalasë ne arritëm ta përfundonim edhe duke prekur sezonin turistik sepse Berati edhe sot që flasim vizitohet nga shumë turistë. Agjencitë turistike që sjellin turistë të organizuar me autobusë e kanë pasur shumë të vështirë aksesin drejt Kalasë së Beratit sepse rruga ka qenë një shteg i ngushtë. Ky është një lajm shumë pozitiv për qytetin, është një lajm i mirëpritur nga të gjithë banorët e lagjes Kala por edhe të zonave përreth saj”, ka thënë Demo, i cili ka deklaruar më tej se ky investim i hap rrugën planeve edhe më të mëdha të investimeve në të ardhmen në zonën e Kalasë që mendohet të fillojnë brenda vitit 2022.