2 vite pas tërmetit tragjik që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit 2019, ministri për Rindërtimin dhe Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka bërë një bilanc të të gjithë procesit. I ftuar në rubrikën “Opinion në News 24, Ahmetaj dha garancinë se deri në vjeshtën e vitit 2022 nuk do të ketë asnjë gjurmë nga tërmeti.

Ai e ka konsideruar procesin e rindërtimit shembullor sa i përket, cilësisë, shpejtësisë, transparencës duke e bërë sipas tij një proces unik në krahasim me vendet e tjera.

Vetëm ndërtimet në Spitallë, Kombinat dhe 5 maji do të jenë të fundit që do të përfundojnë për arsye të ndryshme ndërsa listoi banesat individuale, shkollat dhe pallatet e përfunduara.

“ Është e rëndësishme t’i referohemi asaj dite fatale për shumë jetë qytetarësh. Dua të mos lë pa përmendur solidaritetin mbarëbotëror dhe dua ta theksoj reagimin e menjëhershëm të qeverisë shqiptare për t’u marrë me thëemel me të gjitha pasojat e tërmetit. Dhjetëra jetë u humbën, mijëra familje u detyruan të lënë shtëpitë e tyre. Por qeveria aktivizoi bonuset e qerave. Sot janë mbi 15 mijë familje që marrin bonus, vetëm 157 familje që janë në çadër që kanë vendosur vetë që të rrinë aty ndërsa një pjesë e madhe janë duke kthyer në shtëpitë e tyre. 49 mijë përfitues nga program i rindërtimit, 39 mijë prej tyre janë DS1, DS2 dhe DS3, 10 mijë janë DS4 dhe DS5 që u rindërtohet plotësisht shtëpia. Janë 2152 njësi individuale të vlerësuara nga të cilat 1442 janë Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe 710 bashkia. 1320 prej tyre kanë përfunduar dhe rreth 800 përfundojnë në fund të vitit. Nga pallatet qeveria mori përsipër të ndërtojë 183 pallate na të cilët janë filluar 113 dhe 23 kanë përfunduar dhe vazhdojnë deri në fund të vitit do të kemi rreth 1 mijë apartamente deri në 31 dhjetor. Tek 5 maji do të kemi 100 familje që do të akomodohen deri në fund të vitit. Deri në korrik do të jetë rreth 80% e 10 mijë familjeve që do të shkojnë në shtëpi. Janë 3 lagje të mëdha që do të përfundojnë përfundimisht në vjeshtë të viti 2022. Është Spitalla që bëhet nga Emiratet e Bashkuara, janë 2 mijë apartamente, puna ka filluar në 3 lote. Ne nuk do të kemi më asnjë gjurmë nga tërmeti. Do të jenë ndërtuar 167 shkolla pjesa më e madhe në përfundim e sipër. Një falenderim i madh për donatorët për mbështetjen grant, 300 milionë të gjitha të angazhuara. Procesi i rindërtimit ka qenë shëmbullor sa i përket, cilësisë, shpejtësisë, transparencës”- tha ai.