Kryeministri Edi Rama iu përgjigj deputetit të Partisë Demokratike Ferdinand Xhaferri në lidhje me buxhetin e vitit 2022, duke e ftuar që të shkojnë së bashku në një familje me ndihmë ekonomike që t’i shpjegojnë gjithçka që do të ndryshojë në vitin e ardhshëm.

Në fjalën e tij në Kuvend, Rama tha se “për bashkëdeputetin tim të Durrësit mund të them që këto bashkërisht t’ua komunikojmë atyre që në qytetin e Durrësit punojnë, që punojnë shumë më mirë e shumë fort se punon ky parlament, dhe marrin nga 300-400 mijë lekë që nga 1 janari ata nuk do të kenë tatim mbi pagën. T’u themi atyre që janë në punë, që punojnë më mirë se ky parlament, ata punojnë çdo ditë, ky parlament edhe në ato ditë që punon shpesh e bën veten për të thënë që më mirë mos qoftë, dhe marrin 400-500 mijë lekë të vjetra rrogë, që taksa e tyre mbi pagën do të përgjysmohet nga 1 janari”.

“Po ashtu t’u themi atyre që janë një krah më i kualifikuar i punës në vendin tonë, që paguhen nga 1.5 deri në 2 milionë dhe që kanë pasur problem tatimin mbi fitimin, sepse me tatimin progresiv tatimi i tyre shkonte deri në 23 %, që nga 1 janari tatimi i tyre thuajse do të përgjysmohet. Pastaj t’u themi të gjithë atyre që merren me sipërmarrjet të vogla në Durrës që do të vazhdojnë të paguajnë zero taksa dhe nëse kanë xhiro deri në 100 milionë nuk do paguajnë as TVSH. Nëse xhiron e kanë deri në 140 milionë nuk do paguajnë taksë, do paguajnë vetëm TVSH. Bashkërisht t’u themi të gjithëve së bashku të mëdhenj, të vegjël, punonjës apo sipërmarrës që nuk ka rritje taksash”, nënvizoi Rama.

Duke ftuar deputetin Xhaferri që të shkojnë të vizitojnë një familje me ndihmë ekonomike në Durrës, Rama tha se “shkojmë bashkë Ferdinand, takojmë një familje me ndihmë ekonomike me tre fëmijë, mos shko t’u flasësh atyre për krimin e për drogën, por shko folu për dyfishimin e ndihmës ekonomike, për secilin prej tyre që ka tre fëmijë deri në moshën 18 vjeç, pastaj shkojmë edhe bashkë, ti mund të shkosh edhe vetëm tek të gjitha familjet që marrin ndihmë ekonomike dhe tek një sërë kategorish të tjera përfshirë edhe pensionistët, t’i japim edhe me kategori – janë 206 mijë në total, që buxheti i vitit ka 45 milionë dollarë për të vazhduar të kompensojë në faturën e tyre të energjisë diferencën mes çmimit të vjetër 7.7 dhe çmimit 9.5. Ndërkohë t’u themi të gjithëve të tjerëve, konsumatorëve familjarë dhe biznesit të vogël, që sido të rrotullohet puna deri kur kjo krizë të jetë në formën e vet akute, që shpresojmë të mbyllet apo zbutet në 6-mujorin e dytë të vitit tjetër, buxheti i shtetit do të vazhdojë të paguajë dhe ata nuk do të paguajnë në faturën e tyre më shumë për energjinë elektrike, siç paguajnë tani që flasim më shumë motrat, vëllezërit, kushërinjtë e tyre në emigracion në Greqi apo Itali”.

“T’u themi mësuesve që paga juaj do të rritet 6 % vitin e ardhshëm, 6 % do të rritet edhe për mjekët dhe infermierët, edhe punonjësve të policisë që punojnë jashtë vendbanimit që paga e tyre do të shtohet me një bonus deri në 150 %, është mirë që duhet të mbështeten edhe më shumë, por këto janë mundësitë. Ambicia është që paga e tyre të rritet 40 % gjatë mandatit të tretë edhe e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve, siç është ambicia që edhe paga minimale të jetë 400 mijë. Por duke filluar nga vitit tjetër do të shkojnë nga 300 deri në 320 mijë lekë të vjetra, nuk janë shumë, por janë më shumë seç janë sot”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se në Durrës ka edhe shumë gjëra të tjera që ne mund t’u themi, por do t’i them kur të shkojmë bashkë.

“Është mirë që të japim bashkërisht një shembull si deputetë atje, shkojmë e futemi në familje, zgjidhi ti familjet. Mund të diskutojmë edhe çështjet e krimit e drogës atje, por Ferdinand, një gjë askush nga ju nuk m’a mohon dot, që kur kthehemi në shtëpi bashkë nuk ndihemi mirë në raport me familjen dhe njerëzit tanë”.

Më tej Rama theksoi se, “sot po e provoni në lëkurë dhe është vetëm fillimi. Tani do të hyni në një fazë ku do ia digjni lëkurën njëri-tjetrit me bishtat e një cigareje që e keni pirë bashkë për 30 vjet. Në vend që të merreni me idetë e tua, qëndrimet, apo me vendimet apo veprimet e tua, të merren me gjëra që ti as i ke çuar në mend që t’i bësh. Me gjëra që nuk kanë lidhje fare, me gjëra që nuk do të doje kurrë të të ndodhnin. E keni bërë këtë 30 vjet, tani është koha ta provoni vet. Prisni se nuk keni parë gjë akoma. Jo nga unë, por nga njëri-tjetri”.